Telegrafi

Kur do t’i paguajë Zvicra kontributet e kosovarëve? (Video)

Pavarësisht moshës, Ramadan Krasniqi nga Gjilani ende është në rroba pune. Punët që i kryen përreth shtëpisë i sjellin rezultate, por për disa vjet që kishte punuar si punëtor në shtetin e Zvicrës, ai si shumë kosovarë të tjerë ende nuk ka arritur ta marrë pensionin që i takon për kontributet e paguara.

Ai thotë se i ka përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme dhe nga viti 2013 ka mbetur në pritje, raporton KTV.

Shuma e mbledhur nga kontributet e paguara në vitet e ‘70-ta të shekullit të kaluar, që shkon më shumë se 40 mijë franga zvicerane, do t’i hynin në punë, derisa edhe investimi i tyre është një ide.

Nga viti 2010 kosovarët nuk kanë mundur t’i përfitojnë pensionet e tyre të moshës ose ato invalidore, nëse kanë vendosur të jetojnë në Kosovë.

Për këtë problem, zgjidhje kanë premtuar disa ministra tash e sa vjet. Njëjtë ka bërë edhe ministri aktual i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.

Në seancën e së enjtes në Kuvend, Abrashi tha se janë përmbushur kërkesat e shtetit zviceran për arritjen e marrëveshjes ndërshtetërore, si dhe janë duke u përgatitur marrëveshje me ministritë relevante.

Ministri Abrashi nuk ka përmendur ndonjë afat kohor se kur do të mund të arrihet marrëveshja për sigurime sociale me shtetin zviceran, transmeton Koha.net.

Kosovarët deri në vitin 2010 kishin arritur t’i përfitonin paratë e tyre falë një marrëveshjeje të vitit 1962, por e njëjta ishte anuluar njëanshëm nga Zvicra pas dyshimeve për keqpërdorime.