Adrian Gaxha e nisi karrierën në vitin 2001 kur edhe e fitoi Festivalin Nota Fest, dhe ishte hera e parë që një këngëtar i ri fitonte edhe çmimin e jurisë edhe atë të publikut.
Shumë shpejt, ai u bë i popullarizuar në Maqedoni dhe në territoret tjera shqiptare. Mirëpo, krahas këndimit në shqip, Adriani provoi të depërtonte edhe në skenën maqedonase.
Ai këndonte në maqedonisht, bënte videoklipe në këtë gjuhë, incizonte album dhe merrte pjesë në festivale të maqedonasve, si Makfest e Ohrid Fest, përkundër se raportet mes shqiptarëve dhe maqedonasve ishin të tensionuara që pas luftës së atjeshme.
Në vitin 2006, ai konkurroi në përzgjedhjen shtetërore të Maqedonisë për Eurovision, ku zuri vendin e dytë me Esma Redzepovan. Në vitin 2008, Adriani e përfaqësoi Maqedoninë në Festivalin evropian së bashku me Tamara Todevska dhe Vrcak, por kënga nuk arriti të kualifikohej për në finale.
Mirëpo, në fund ai e kuptoi se nuk ishte i suksesshëm në tregun maqedonas dhe nga viti 2008 u fokusua te këngët shqipe dhe te tregu shqiptar.
Më poshtë jua sjellim disa këngë dhe videoklipe, nga koha kur Gaxha këndonte në maqedonisht. /Telegrafi/