Sot (e martë) do të hidhet shorti për raundet e para kualifikuese për Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Konferencës, ku tri skuadra nga Kosova do t’i mësojnë kundërshtarët e tyre.
Kampioni i Kosovës në edicionin 2022/23, Ballkani do ta mësojë sot kundërshtarin e rundit të parë kualifikues në shortin që do të hidhet nga ora 14:00 në selinë e UEFA-s.
Therandasit tashmë dinë kundërshtarët e tyre të mundshëm dhe përveç njërit, skuadrat tjera nuk janë aspak të lehta, së paku në letër.
Kundërshtarët e mundshëm të Ballkanit në raundin e parë kualifikues janë: Zalgiris (Lituani), Shamrock Rovers (Irlandë), Ferencvaros (Hungari), Neë Saints (Uells) dhe Ludogorets (Bullgari).
Ndeshjet e raundit të parë kualifikues me dy ndeshje do të zhvillohen më 11/12 dhe 18/19 korrik.
Përveç Ballkanit, sot kundërshtarët do t’i mësojnë edhe Gjilani dhe Dukagjini, në shortin që do të tërhiqet nga ora 15:00 në kuadër të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Kundërshtarët e mundshëm të Gjilanit janë Linfield (Irlandë e Veriut), Dundalk (Irlandë), CQN (Uells), Process (Luksensburg) dhe Inter d’Escaldes (Andorra).
Kundërshtarët e mundshëm të Dukagjinit janë: Diddeleng (Luksenburg), Shkupi (Maqedoni e Veriut), Torshavn (Ishujt Faroe), Gzira Utd (Malta) dhe Santa Coloma (Andorra).
Ndeshjet e raundit të parë kualifikues me dy ndeshje do të zhvillohen më 13 dhe 20 korrik.
Në anën tjetër, Drita pritet ta mësoj nesër kundërshtarin, pasi i fillon garat nga raundi i dytë kualifikues i Ligës së Konferencës. /Telegrafi/