Site icon Telegrafi

Kundërshtar i madh i Kremlinit, Kasparov: Ajo që ndodhi mes Trumpit dhe Zelenskyt, ndoshta është përgatitur nga Putini

NATO ka përfunduar, ka deklaruar Garry Kasparov, shahisti i njohur rus dhe kundërshtari i Kremlinit, pas përplasjes së djeshme në Shtëpinë e Bardhë mes Donald Trumpit dhe Volodymyr Zelenskyt.

Kasparov, i cili mori shtetësinë kroate pas ikjes nga Rusia, tha se Evropa duhet të pranojë realitetin e ri të krijuar nga ngjarjet e fundit.

Lexo po ashtu Pas përplasjes në Shtëpinë e Bardhë, reagon Zelensky

“Përkrahësit e Ukrainës janë munduar t’i japin kohë administratës së re të Trumpit, me gjithë qëndrimet e tij të qarta pro-Kremlin, por takimi i djeshëm e rrëzoi këtë shpresë”, tha Kasparov.

Ai e cilësoi situatën si një skenar që mund të jetë orkestruar nga vetë presidenti rus, Vladimir Putin.

“Ky ishte një kurth, por Trumpi nuk është i besueshëm. Vance kishte detyrën të provokonte Zelenskyn, i cili mund të injoronte sulmet personale, por nuk mund të lejonte që vuajtjet e ukrainasve të minimizohen”, shtoi Kasparov.

Ky i fundit vlerësoi se “komportamenti i Zelenskyt, veshja e tij, dhe deklaratat janë çështje të dytësore që duhet injoruar”, dhe theksoi se Trumpi po i jep rëndësi vetëm mbajtjes së audiencës së tij të lartë. “Vance ishte antagonisti, siç ishte planifikuar”, tha ai.

Lexo po ashtu Trump reagon pas takimit të tensionuar me Zelenskyn: Ai vetëm fajësonte Putinin, ai duhet të thoshte vetëm se dëshironte paqe

Në lidhje me politikën amerikane ndaj Rusisë dhe Ukrainës, Kasparov theksoi se nuk ka pasur asnjë ndryshim. “Votimi në OKB ishte sinjali i duhur, ndërsa kjo situatë ishte vetëm zhurmë”, përfundoi ai.

Kasparov gjithashtu vuri në dukje se “evropianët duhet të kuptojnë se Trumpi ka bashkëpunuar me Rusinë e Putinit. Justifikimet kanë mbaruar dhe se NATO ka përfunduar”.

Ai nënvizoi se “gara evropiane për t’u bashkuar dhe armatosur veten dhe Ukrainën ka filluar”.

Ndryshe, Trump dhe Zelensky kanë pasur një takim të tensionuar në Shtëpinë e Bardhe, e cila kulmoi me mos nënshkrimin e marrëveshjes për mineralet e rralla ukrainase. /Telegrafi/

 

Exit mobile version