Marash Kumbulla ende nuk e di nëse do të qëndrojë te Roma apo do të largohet këtë verë.
Qendërmbrojtësi shqiptar ka pasur një vit të vështirë nën urdhrat e Jose Mourinhos, por në fund të sezonit hapësirat për të ishin më të mëdha.
Gjithsesi Roma pritet ta largojë njërin mbrojtës mes Kumbullës dhe Ibanez, derisa për shqiptarin ofertat nuk mungojnë.
Trajneri kroat Ivan Juric e kërkon me ngulm shqiptarin te Torino, pasi dëshiron ta ketë përsëri nën urdhrat e tij.
Ndërkohë së fundmi në garë është futur edhe Fiorentina që po e sheh shqiptarin si zëvendësues të Milenkovic i cili do të transferohet tek njëri nga gjigantët italian Milan ose Inter.
Roma pagoi 26 milionë euro për transferimin e tij nga Hellas Verona dhe vështirë se mund ta fitojë këtë shumë në rast se do ta shisnin këtë verë.
22-vjeçari ka një vlerë në tregun e transferimeve rreth 20 milionë euro dhe trajneri Jose Mourinho ende nuk ka dhënë dritën e gjelbër për shitjen e tij.
Kumbulla sezonin e fundit ka zhvilluar 28 ndeshje në të gjitha garat ku ka shënuar edhe një gol. /Telegrafi/