Telegrafi

Kultivonin drogë në mulli në Suharekë, gjykata u cakton një muaj paraburgim gjashtë të pandehurve

Gjykata Themelore në Prizren u ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji gjashtë të pandehurve të cilët dy ditë më parë janë arrestuar gjatë operacionit policor në Shirokë të Suharekës.

Sipas komunikatës për medie, ata janë arrestuar për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit dhe blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Lexo po ashtu Laborator droge në Suharekë, policia arreston gjashtë persona

“Prizren, 18 shkurt 2022 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Teuta Krusha, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 16.02.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 16.03.2022, ndaj të pandehurve A.R., M.V., E.M., F.M., A.M., E.D., për shkak të dyshimit zë bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit dhe blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

“Nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar: Nga data e pavërtetuar e deri me datë 16.02.2022, pa autorizim, kanë kultivuar bimën e hashashit, shkurres së kokainës ose bimën e kanabisit, me qëllim të prodhimit të narkotikeve ose substancave psikotropike”, thuhet në komunikatë.

Kjo është bërë sipas tyre në atë mënyrë që në bashkëkryerje me njëri – tjetrin kanë kultivuar bimën narkotike brenda një objekti që ka shërbyer si mulli  në fshatin Shirokë – Komuna e Suharekës dhe atë në katin e 7-të.

Lexo po ashtu Kapet drogë dhe bimë kanabisi në një mulli në Suharekë që e tejkalojnë vlerën e 1.5 milion eurove – gjashtë të arrestuar

“Me datë 16.02.2022, rreth orës 14:15 minuta, me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit, në objektin e cekur është zbuluar vendi ku bëhej kultivimi i bimës narkotike, pajisjet dhe materialet për kultivimin e bimës narkotike si dhe rreth 32 kg, substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes, si dhe 2059 saksi – vazo, që kishin të mbjellura bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa, e po ashtu në vendin e ngjarjes janë zënë në flagrancë të gjithë të pandehurit”, thuhet tutje në komunikatë.

Po ashtu, të pandehurit e lartcekur, pa autorizim kanë poseduar me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrimit për shitje, substancën të dyshuar për narkotikë, të llojit marihuanë, të shpallur me ligj si narkotik, të cilat i kanë siguruar nga kultivimi i bimës narkotike, të siguruara në rrethana të përshkruara si më lartë, e të cilën substancë e kanë ofruar për shitje apo shpërndarje personave të tjerë tani për tani të pa identifikuar.

“Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale. Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se procedura penale është në fazën fillestare, si dhe faktin se prezenca e të pandehurve në këtë procedurë është siguruar në mënyrë të dhunshme nga ana e Policisë së Kosovës, dhe me lënien në liri të të pandehurve ekziston rreziku se të njëjtit mund të ipen në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, dhe do të pamundësojnë zhvillimin e rregullt të kësaj procedurë penale”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, duke marrë parasysh peshën e veprave penale, rrethanat në të cilat dyshohen se janë kryer këto vepra penale, respektivisht të pandehurit dyshohen se kanë kultivuar e transportuar shitur e shpërndarë substanca narkotike në pesha të mëdha, gjithashtu duke pasur parasysh rrezikshmërinë e veprave panel, Gjykata ka ardhur në përfundim që masa e paraburgimit ndaj të pandehurve në këtë fazë është e arsyeshme dhe e domosdoshme. /Telegrafi/