Telegrafi

Kufirin e dikton Serbia!

Qeveria e Kosovës është detyruar nga Lista Serbe që ta heqë nga rendi i ditës Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Me kërkesë direkt nga Beogradi, 11 deputetë serbë nuk erdhën në sallën e Kuvendit të Kosovës, duke i pamundësuar kështu koalicionit ratifikimin e këtij ligji. Dështimin e përpjekjes njëvjeçare të koalicionit qeveritar për të kaluar demarkacionin, partia më e madhe opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje” ia atribuoi protestës dhe presionit nga kjo parti, shkruan “Zëri”.

“Nuk ka fituar Lista Serbe sot. Nuk kanë guxuar të vijnë në Kuvend për shkaqe sigurie siç thanë dhe nuk i fituan 25 antena të Serbisë dhe, me gjasë, komunën e Prilluzhës. Sot, ka humbur Qeveria që duhet të dorëhiqet dhe Thaçi i deklasuar. Dhe, ka fituar populli e Republika, ‘Vetëvendosja’ dhe e gjithë opozita. Urime qytetarë të Kosovës! Urime aktivistë të Lëvizjes! Urime deputetë të opozitës! Fitorja është e të gjithë juve bashkë!”, ka thënë kreu i LVV-së, Visar Ymeri, pas dështimit të ratifikimit.

Ndërkohë, Lista Serbe mungesën e deputetëve të saj në këtë seancë e ka arsyetuar duke thënë se partnerët e mëdhenj të koalicionit nuk janë takuar me drejtuesit e këtij subjekti për të diskutuar për këtë çështje. /Zëri/