Site icon Telegrafi

Kufiri Greqi-Maqedoni i bllokuar nga refugjatët (Video)

Një grup refugjatësh nga Lindja e Mesme kanë bllokuar kalimin kryesor në pikën kufitare Greqi-Maqedoni, duke shkaktuar probleme në komunikacion.

Grupi i refugjatëve që është i strehuar vetëm 1 kilometër larg kufirit greko-maqedonas proteston kundër mbylljes së linjës hekurudhore nga ana e Maqedonisë dhe bllokimit të “Rrugës Ballkanike”. Forcat policore greke u konfrontuan me refugjatët. Ato krijuan një mburojë njerëzore për të shmangur ndonjë konflikt të mundshëm mes refugjatëve të dëshpëruar dhe shoferëve të inatosur. Gjatë incidentit një grua e cila po udhëtonte në Athinë pësoi sulm në zemër dhe vetëm pas shumë ndërhyrjeve refugjatët e lejuan të kalojë për të shkuar në spital.
“Po protestojmë kundër kthimit pas. Kemi rrezikuar jetët tona për të ardhur këtu. Kthimi pas në Turqi do të thotë që ne do humbin gjithçka dhe do të përballemi me pasiguri”, u shpreh një refugjat sirian për Alsat-M.

Më shumë se 12 mijë refugjatë janë bllokuar në pikën kufitare greko-maqedonase që nga mbyllja e rrugës Ballkanike. Të hënën hyri në zbatim marrëveshja mes Turqisë dhe BE, e cila parashikon kthimin pas në Turqi të të gjithë emigrantëve që hynë në Greqi përmes rrugëve ilegale. Të hënën Greqia deponoi në Turqi grupin e parë prej 202 refugjatëve./Telegrafi/

Exit mobile version