Telegrafi

Ku është Andrey Arshavin tani – 15 vite pasi shënoi katër gola ndaj Liverpoolit

Andrey Arshavin e futi veten në librin e historisë së Arsenalit rreth 15 vite më parë kur shënoi katër gola në barazimin ikonik të ‘Topçinjve’ me rezultat 4-4 ndaj Liverpoolit në ‘Anfield’.

Goli i tij në minutën e 90-të dukej se i kishte siguruar tri pikët për ekipin e Arsene Wenger, por një gol i Yossi Benayoun në minutën e 93-të, bëri që të dy ekipet të ndajnë pikët, në atë që ishte një goditje fatale në shpresat e Liverpoolit për titull atë vit.

Ajo natë e famshme në ‘Anfield’ ishte padyshim momenti më kulmor i karrierës së Arshavin në Londër, që bëri që ai të bëhej lojtari më i shtrenjtë në histori të klubit, teksa Arsenali kishte paguar 15 milionë euro për shërbimet e tij në drejtim të Zenit Petersburg, aty ku kaloi nëntë vite.

Teksa reprezentuesi rus nuk fitoi asnjë trofe në katër vitet e tij të para në ‘Emirates’, ai shënoi 31 gola në 144 ndeshje dhe mbeti në kujtesën e shumë tifozëve të klubit anglez.

Koha e Arshavinit tek Arsenali mbaroi në vitin 2013 kur atë kohë u rikthye në Rusi tek Zeniti për dy vite, para se të kalonte tek ekipi tjetër Kuban Krasnador.

Ai u largua për herë të tretë nga Rusia duke kaluar kështu në Kazakistan, aty ku në radhët e Kairatit shpenzoi vitet e fundit të karrierës, para se t’i ‘var këpucët në gozhdë’ në vitin 2018.

Arshavin u pensionua nga futbolli, por mbeti përsëri i lidhur me të. Ai mori një rol administrativ tek Zeniti të cilin e ushtroi që nga viti 2019.

Ai më pas u bë drejtor gjeneral për zhvillimin e sportit, para se të bëhej anëtar i bordit ekzekutiv të klubit verën e kaluar.

42-vjeçari ka shijuar një sezon të suksesshëm me Zenitin të cilët momentalisht po kryesojnë tabelën në elitën e futbollit rus, teksa më herët gjatë këtij sezoni kanë triumfuar në Superkupën e Rusisë./Telegrafi/