Konsumatorët që blejnë, duhet t’i ruajnë kuponët fiskalë. Pasi t’i dorëzojnë në ATK, atyre mund t’u kthehet një përqindje e parave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Kjo pritet të ndodhë pasi të hyjë në fuqi udhëzimi administrativ për arka fiskale.
Ministri Avdullah Hoti tha se kjo do të ndikojë në fiskalizim më të shpejtë të bizneseve.
“Prandaj do krijojmë stimuj që vet qytetarët të ndikojnë në fiskalizimin më të shpejtë të bizneseve, duke ju mundësuar atyre qytetarëve që të mbledhin kupona fiskalë, në baza mujore, t’i prezantojnë për blerjet që kanë bërë në ATK dhe pastaj ATK-ja të kthejë një përqindje të TVSH-së që qytetarët i paguajnë shtetit me rastin e blerjeve të mallrave dhe shërbimeve që bëjnë”, tha ai.
Detajet e rimbursimit nëpërmjet kuponëve fiskalë do të specifikohen javën e ardhshme. Njohës të ekonomisë thonë se një gjë e tillë është kërkuar që disa vjet. /RTK/