Juventusi do t’i ndryshojë kushtet e ofertës për kontratën e Paulo Dybalas, në përpjekje që sulmuesi të qëndrojë në klub – njofton La Gazzetta dello Sport.
Kontrata aktuale e argjentinasit (nga e cila përfiton 7.3 milionë euro në vit plus bonuset) skadon në fund të këtij edicioni, ndërsa është raportuar se Bianconerët kanë arritur marrëveshje me futbollistin dhe me kontratën e re do të përfitojë 10 milionë euro në sezon plus bonuset.
Agjenti i tij ka udhëtuar disa herë në Torino për arritjen e marrëveshjes, mirëpo akoma nuk është nënshkruar kontrata e re nga palët.
Shefi ekzekutiv, Maurizio Arrivabene, ka thënë për DAZN se Zonja e Vjetër do të bisedojë me përfaqësuesit e ‘La Joya’ në shkurt, sikurse edhe me lojtarët tjerë.
Mirëpo, sipas to La Gazzetta dello Sport, Juventusi nuk do t’i ofrojë Dybalas 10 milionë euro në vit (ashtu siç është raportuar më herët), por do t’ia ofrojë vazhdimin e kontratës së tanishme (me 7.3 milionë euro në vit) ose madje mund t’i ofrojë pagë më të ulët.
Bianconerët kanë probleme financiare dhe kanë regjistruar humbje prej 210 milionë eurosh gjatë vitit financiar 2020-2021. /Telegrafi/