Telegrafi

KShM merr masa për shkelësit e rregullave gjatë mbajtjes së provimit të Maturës Shtetërore, përjashtohen nga testi 54 nxënës

Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM), ka mbajtur sot takim, ku ka analizuar raportet e ardhura nga terreni pas përfundimit të ditës së parë të provimit të Maturës Shtetërore në regjionin e Prishtinës. Komisioni ka konstatuar se, në përgjithësi testi ka shkuar mirë dhe nuk ka pasur parregullsi të mëdha që ndikojnë në proces.

Sipas njoftimit për media, gjatë mbajtjes së testit janë përjashtuar nga procesi 54 nxënës, të cilët do ta humbin këtë afat të testimit.

“Administruesit, të cilët i kanë shkelur rregullat janë: Luljeta Gashi, Kimete Mejtani dhe Hazbije Zeqiri, të cilat kanë qenë të angazhuara në Podujevë. Ndërsa, edhe për dy administrues të tjerë, janë duke u vërtetuar provat për shkelje dhe gjatë ditës së nesërme, nëse vërtetohen shkeljet, do të bëhen publik emrat e tyre. Ndaj këtyre administruesve të lartëcekur do të inicohen masat sipas vendimeve në fuqi”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu U tha se do t'i ndalin valët e telefonit, maturantët e kanë gati planin për të kopjuar

Sipas njoftimit, KShM falënderon drejtoritë komunale të arsimit të komunave përkatëse, për përgatitjet e duhura për këtë provim. Po ashtu, Komisioni falënderon edhe Policinë e Kosovës dhe të gjithë akterët tjerë të përfshirë në proces dhe që e kanë kryer detyrën e tyre sipas rregullave të Provimit të Maturës Shtetërore.

Lexo po ashtu MASHT-i mohon që testi i maturës u shpërnda online, nuk arriti të vendosë zhurmuesin e valëve

Ndryshe sot nxënësit e rajonit të Prishtinës, i janë nënshtruar pjesës së parë të Testit të Maturës. Mirëpo edhe pse janë paraparë masa ndëshkuese për maturantët, të cilët nëse zihen duke kopjuar do të ndëshkohen, ata edhe sivjet si vitin e kaluar janë duke bërë plane se si të kopjojnë.
Pavarësisht masave ndëshkuese, ku është thënë se do të ndalohen edhe valët e telefonit, nxënësit kanë krijuar një grup në rrjetin social ‘Facebook’, ku të rinjtë kanë komunikuar mes veti se si të bashkëpunojnë gjatë mbajtjes së testit, përkatësisht dërgimin e pyetjeve dhe marrjen gatshëm të përgjigjeve./Telegrafi/