Site icon Telegrafi

Kryeziu nga KDI: Kurti do duhej të kërkonte marrëveshjen finale me Serbinë

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu pas takimit bilateral në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel tha se Kurti do duhej të kërkonte marrëveshjen finale me Serbinë si dhe të synonte afatizim kohor.

Kryeziu përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se pjesëmarrja në një dialog pa marrëveshje finale, s’është asgjë më shumë se vetëm vazhdim i një politike të papërgatitur për dialogun me Serbinë.

“Kryeministri Kurti, do duhej të kërkonte marrëveshjen finale me Serbinë dhe të synonte afatizim kohor. E më pastaj, temat mund të jenë të panumërta dhe të karaktereve të ndryshme që mund të dakordohen dy shtetet mes vete, bazuar në marrëveshjen finale. Përndryshe, pjesëmarrja në një dialog pa marrëveshje finale, i nisur nga temat, s’është asgjë më shumë se vetëm vazhdim i një politike të papërgatitur për dialogun me Serbinë. Për më tepër, është përshtatje ndaj nevojave të Serbisë dhe disa shteteve burokratike të cilat s’kanë asnjë interes se çfarë po ndodhë me Kosovën”, ka thënë ai.

Sipas tij, delegacioni i Kosovës duhet të jetë pjesë e dialogut, jo për shkak të presionit ndërkombëtar, por për shkak të interesit për t’i zgjidhur shumë çështje me Serbinë si shtete fqinj. /Telegrafi/

Exit mobile version