Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK ka thënë se për një rezolutë për bisedime me Serbinë do të ishte dashur të arrihet një konsensus i gjerë që në Kuvend do të kishte 2/3 e votave.
Kryeziu, në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se shumica e kualifikuar është e nevojshme nëse arrihet një marrëveshje e mundshme për t’u ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.
Pjesëtari i shoqërisë civile ka thënë se do të jetë e vështirë që një marrëveshje e mundshme e arritur nga ky grup dialogues me Serbinë, të marr mbështetjen e 2/3 të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
“Dihet çfarë ka ndodhur me marrëveshjen e demarkacionit, që kërkonte shumicën e kualifikuar. Gati sa nuk e dërgoi vendin në luftë”, tha Kryeziu, përcjell Telegrafi.
Kryeziu ka thënë se nëse politika nuk arrin konsensus të gjerë zgjidhja mund të jenë zgjedhjet e reja parlamentare.
“Nuk e di nëse ka temë më të ndjeshme se kjo e bisedimeve me Serbinë për të kërkuar legjitimitet te populli”
Ai ka thënë rezoluta e PSD-së nuk i përmbush kërkesat që kërkohen nga Kushtetuta e Kosovës.
“Druhem se qëllimi final i këtyre bisedimeve është ta biem Kuvendin e Kosovës para një akti të kryer. Ky ekip të vjen deri te një dokument [marrëveshje me Serbinë]. Dokumenti nuk e ka një shumicë të kualifikuar në Kuvend, dhe ne pësojmë një fiasko pasi marrëveshja nuk ka mbështetje dhe dalim si një palë jo serioze”, tha Kryeziu./Telegrafi/