Telegrafi

Kryeziu: Nëse dështon koalicioni LVV-LDK, Kurti ka para vetës dy opsione për formimin e Qeverisë

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka thënë se nëse mandatari Albin Kurti nuk arrin të ketë koalicion qeverisës me LDK-në, duke marrë parasysh vendosjen e vijave të kuqe për subjektet tjera, atëherë ai para vetes i ka opsionet e limituara.

Kryeziu konsideron se njëri nga opsionet është të krijojë Qeveri të pakicës, përmes një koalicioni parlamentar me njërën nga subjektet opozitare dhe të dakordohet për disa tema kyçe legjislative politike.

‘Duke i dhënë partisë opozitare mbështetjen e Qeverisë për prioritetet e veçanta legjislative, duke përfshirë edhe shpërndarjen e buxhetit, vendimet dhe veprimet si ajo për taksën, dialogun, kufijtë etj.’

Në këtë mënyrë, sipas Kryeziut, Albin Kurti do të siguronte votat e mjaftueshme për ta zgjedhur Qeverinë dhe për të qeverisur me mandat të plotë apo edhe periudhe të caktuar kohore, transmeton Telegrafi.

Në shkrimin e bërë në Facebook, Kryeziu thotë se një format të tillë qeverisës do të mund të bëhet në formë zyrtare apo edhe jo zyrtare. Ai përmend rastet Alex Salmond, qeveris me qeveri të pakicës për katër vite në Skoci. Konservatori Stephen Harper po ashtu ka bërë të njëjtën gjë në Kanada, duke shtuar se Qeveri të pakicave ka pasure dhe në Zelandën e Re, Australi, Suedi, Holandë etj.

Kryezi ka pohuar se në Kosovë, qeveria e kaluar e udhëhequr nga Haradinaj, gjatë mandati edhe pse ka humbur shumicën parlamentare ka vazhduar të qeveris si qeveri e pakicë dhe kishte stabilitet të votave nga mbështetja e PSD-së, si subjekt opozitar deri në dorëheqjen e tij.

Tutje, Kryeziu thotë se qeveritë e pakicës janë treguar më të suksesshme sesa ato të shumicës, për arsye të kontrollit më të madh që ushtron legjislativi, si në Kanadë apo edhe shumë shtete tjera, duke kujtuar se me mbështetjen edhe iniciativën e PSD-së, janë bërë ligje të cilat asnjë qeveri e shumicës sipas tij, nuk ka arritur t’i miratojë si Ligji për Kryeqytetin, Ligji i Pagave, iniciativa për kodin pensional e të tjera.

Si opsion të dytë, Kryeziu pohon se Kurti mund të formojë një koalicion qeverisës me partitë që vijnë nga komunitetet jo-shumicë dhe të kërkojë votën e deputetëve në Kuvendit për tu zgjedhur kryeministër, pa u dakorduar me asnjë grup tjetër politik.

Ndryshe, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një letre dërguar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar që seanca për votimin e Qeverisë të mbahet me datën 3 shkurt./Telegrafi/