Telegrafi

Kryetari i Leposaviqit dhe i Mitrovicës së Veriut në objektet komunale, ai i Zveçanit punon nga Zyra për Komunitete

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, këtë të martë po e ushtron detyrën e tij nga Zyra për Komunitete që ndodhet në fshatin Lipë të kësaj komune, e jo nga objekti komunal.

Këtë e ka konfirmuar vetë Peci në një prononcim për Telegrafin, teksa ka thënë se aty do të qëndrojë deri në orën 16:00.

“Këtu sot e kemi filluar punën dhe do të qëndrojmë deri në orën 16:00. Këtu nuk ka protestues dhe situata është e qetë”, është shprehur shkurtimisht ai.

Lexo po ashtu Kryetari i Leposaviqit dhe ai i Mitrovicës së Veriut në objektet komunale

Ndërkohë kryetari i Mitrovicës Veriore, Erden Atiq dhe ai i Leposaviqit, Lulzim Hetemi janë ende në detyrë dhe po qëndrojnë në objektet e komunave përkatëse.

Që nga e premtja, serbët në veri të Kosovës janë duke protestuar kundër kryetarëve të rinj të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit

Protestuesit serbë që po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë, janë mbledhur edhe të martën në Zveçan, ndonëse në një numër më të vogël se një ditë më parë.

Të hënën, ata janë përplasur me ushtarë të KFOR-it, pasi nuk iu kanë bindur thirrjes së misionit paqeruajtës për t’u shpërndarë./Telegrafi/