Telegrafi

Kryetari i Zveçanit dhe i Zubin Potokut arrijnë në takim me ambasadorin amerikan

Pas pak pritet takimi i katër kryetarëve të komunave veriore me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier.

Takimi mes tyre do të ndodhë pas zhvillimeve të fundit në veri, ku serbët lokalë po tentojnë të bllokojnë objektet komunale atje.

Duke shkuar në takim janë parë kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

Ndryshe, sot serbët kanë tentuar sërish të hyjnë me forcë në objektet komunale, ku për këtë ka intervenuar Policia e Kosovës, duke ndaluar ata.

“Protestuesit në forma të organizuara janë tubuar para objekteve të komunave të veriut si në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan për të protestuar, ku para objektit të komunës së Zveçanit protestuesit duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për t’u futur me dhunë në objektin e komunës, ku Policia është detyruar të përdorë mjetet e ligjshme, si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll”, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë. /Telegrafi/