Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndodhur një incident në Aeroportin e Shkupit, derisa ajo po e kalonte kontrollin, ku iu kërkua nga punëtori i sigurimit telefoni dhe gjërat e saj personale.
U raportua se në këtë rast ishin të përfshirë edhe pjesëtarët e sigurimit të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
Kabineti i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, mohon përfshirjen e pjesëtarëve të sigurimit të tij personal në incidentin e sotëm në aeroportin e Shkupit
“Ndryshe nga këto raportime, anëtarët e ekipit të sigurimit të Kryeparlamentarit Gashi kanë qenë të pranishëm aty vetëm për ta qetësuar situatën e krijuar nga një keqkuptim mes sigurimit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe pjesëtarëve të sigurimit të aeroportit. Personeli i sigurimit të kryeparlamentarit Gashi, të cilët janë të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë ndërhyrë për ta qetësuar situatën dhe për t’i udhëzuar kolegët e tyre për procedurat e sigurisë gjatë vizitës së personave VIP”, thuhet në reagimin nga kabineti kryeparlamentarit Gashi.
“Me këtë rast theksojmë se çdo raportim që e sugjeron të kundërtën është tendencioz. Pas kësaj u bëjmë thirrje edhe mediave që kanë raportuar për këtë ngjarje, që ta verifikojnë informacionin e tyre para se të publikojnë pretendime të tilla dhe të veprojnë me përgjegjësi profesionale dhe etike”, thuhet në reagim. /Telegrafi/