Telegrafi

Kryeshefja e Telekomit me premtime të forta: Deri në fund të qershorit, Prishtina me rajonin e saj mbulohet me teknologjinë 5G

Telekomi i Kosovës prej vitesh ka vuajtur nga mungesa e investimeve shtetërore, duke mbetur prapa konkurrentëve në ofrimin e shërbimeve për konsumatorët.

Kryeshefja ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com ka thënë se ky trend do të ndryshojë në këtë vit pasi sipas saj tashmë janë ndarë miliona për investime.

Sipas saj me këto investime do të përmirësohet infrastruktura e vjetërsuar e Telekomit dhe për herë të parë konsumatorëve të Vala-s do t’iu ofrohen edhe shërbimet e rrjetit të 5G.

Lexo po ashtu Ristrukturimi në Telekom, ankesat e ish-punëtorëve dhe lufta ndaj korrupsionit - flet Burbuqe Hana

Hana më tej thotë se do të shtohet numri i antenave në mënyrë që shërbimet e Telekomit dhe Vala-s të shtrihen në çdo vend të Kosovës.

“Shembull, Prishtina me regjion deri në fund të qershorit do të jetë e mbuluar me teknologjinë 4G+ dhe 5G. Ndërsa për komunat  tjera besojmë se deri në fund të vitit 2024 do të shtrihet infrastruktura dhe do të ofrohen shërbimet cilësore”, ka deklaruar Hana.

Lexo po ashtu Hana: 2024-ta vit i investimeve në Telekom, telefonia mobile do të ketë infrastrukturë të re dhe teknologji të fundit

Kryeshefja ekzekutive e Telekomit të Kosovës shprehet e bindur se kompania do të jetë konkurruese dhe sipas saj tashmë elementet e para janë të dukshme.

“Vitin e kaluar kemi paraqitur 5.9 milionë euro fitim  e që është hera e parë pas vitit 2015 që dalim me bilanc pozitiv”, ka deklaruar Hana. /Telegrafi/