Kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arsim Fetahu, ka thënë se mënyra e ndërtimit të digës së Liqenit të Badocit në vitet e ’60-a kur edhe u ndërtua ky liqe, ka qenë sipas standardeve të asaj kohe dhe tash është vjetruar.
Ai ka shtuar se niveli i ujit që mund të merret nga ky liqe është i kufizuar.
“Për dallim nga liqeni i Batllavës, i cili i ka tri nivele të caktuara me një distancë nga 7-8 metra njëra me tjetrën, po të kishim këtë mundësi edhe tek liqeni i Badocit momentalisht ne do të merrnim ujin nga nivelet më të larta për arsye se s’do kishim problemin e manganit”, ka deklaruar Fetahu në Kallxo Përnime.
Sipas tij, liqenet asnjëherë nuk janë pastruar.
“Ajo çka është pastruar, mund të themi që në liqenin e Batllavës gjatë këtij viti ka qenë i mbushur plotë dhe ne e kemi vendosur shkarkuesin fundor, i cili pastaj edhe krejt ato mbeturina, bashkë me ujin janë larguar nga liqeni. Mirëpo në kuptimin institucional nuk është bërë asnjëherë një pastrim i liqeneve”, ka thënë ai.
Fetahu gjithashtu ka thënë se mënyra e zgjidhjes së problemit të paktën për një kohë është të ngritët niveli i veprës së marrjes së ujit.
“Nuk është lehtë e realizueshme kjo. Uji nga gypi që merret në liqen jemi tu provu me ngrit në një nivel më të lartë, nuk bëhet për 1-2 ditë na merr kohë por jemi vetëm si KRU që jemi duke provuar ta zgjedhim dhe besoj e shpresoj që shumë shpejt kemi me e bo”, është shprehur kryeshefi i KRU “Prishtina”.
Më 19 tetor, Instituti i Shëndetit Publik ka bërë thirrje për të gjitha zonat të cilat furnizohen me ujë të pijes nga Liqeni i Badovcit, të mos e konsumojnë ujin.
Kjo pasi në bazë të analizave fiziko-kimike të mostrave të ujit nga uji i prodhuar në fabrikën që furnizohet nga liqeni akumulues i Badovcit, ka dalë se ka vlera të rritura të Manganit.
Përmes një komunikate për media ishte bërë e ditur se IKSHPK-ja ka ngritur shkallën e gatishmërisë dhe kontrollit të cilësisë së ujit për pije në zonën e mbulueshmërisë.
“IKSHPK-ja apelon te qytetarët të cilët furnizohen nga fabrika e ujit në liqenin e Badovcit që të mos përdoret uji për pije dhe përgatitje të ushqimit deri në njoftimin e radhës”, thuhej në njoftim.