Site icon Telegrafi

Kryeparlamentarja Osmani: Përfshirja e Rusisë në dialogun Kosovë-Serbi, hap prapa

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se përfshirja e Rusisë në bisedimet Kosovë-Serbi është hap prapa.

Osmani pas mbledhjes së Kryesisë tha se nëse kthehet formati i trojkës, ku Rusia ka pasur zë e rol aq sa ka pasur si para pavarësisë atëherë kthehemi prapa edhe politikisht, jo vetëm në çështje teknike.

“Nuk e shoh aspak të nevojshme dhe aq më pak si ndihmesë përfshirjen e Rusisë në këtë proces”, tha ajo, duke rikujtuar se në vitin 2010 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara kur ka  vendosur se si të procedohet me dialogun Kosovë-Serbi ka përjashtuar një format ku edhe Rusia do të merrte pjesë, si formati i trojkës në vitin 2007.


Sipas saj, Rusia qëllimin e vetëm e ka destabilizimin e rajonit, raporton Telegrafi.

Kryeparlementarja Osmani më tej shtoi se Serbia akoma qëndron vetëm me sy kah Evropa, por mendjen, zemrën dhe veprimet i ka të koordinuar me Rusinë.

Ajo tha se BE-ja duhet ta trajtojë me seriozitet këtë çështje, sidomos çështjen e armatimit.

“…Megjithatë BE-ja e ka rolin e vet. SHBA-ja duhet patjetër të jenë të involvuar në një format me të cilin edhe pajtohen palët për shkak se historia dëshmon se asnjë proces në Ballkanin Perëndimor por edhe në Evropë, nuk mund të jetë i suksesshëm pa involvimin e SHBA-së”, është shprehur ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version