Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se pjesë e marrëveshjes për bashkëqeverisje me Lëvizjen Demokratike të Kosovës, është edhe vendimi që të rishqyrtohen vendimet të cilat janë marrë pas dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj.
Ajo ka thënë para media, që të gjitha vendimet do të shqyrtohen nga aspekti ligjor.
“Ne jemi pajtuar qe vendimet që janë ndërmarrë pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj duhet të shqyrtohen, nga aspekti ligjor dhe nga aspekti i legjitimitetit. Ky është vendim i Qeverisë, dhe ne jemi pajtuar në marrëveshje që do të shqyrtohen ato vendime”, ka theksuar ajo, transmeton Telegrafi.
Kurse sa i përket zëvendësimit së taksës 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia me reciprocitet, ajo tha se kjo temë kërkon studim të thellë.
“Programi ynë qeverisës i ka trajtuar dy këto çështje sa i përket tarifës me reciprocitet. Por është komplekse dhe trajton analizë më të thellë. Çështja e reciprocitet prek edhe 33 marrëveshje që janë arritur. Për momentin nuk mund të jap një përgjigje të saktë se kur kjo mund të ndodhë, ajo mund të jepet nga qeveria. Kjo kërkon më shumë durim dhe gjithë-përfshirje . Vendimi politik është tarifa largohet dhe reciprociteti duhet të hyjë në fuqi”, u shpreh Osmani.
Ndaj zëvendësimit të taksës 100 për qind me reciprocitet ka pasur reagime të shumta nga deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës./Telegrafi/