Kryetari i Parlamentit të Kuvajtit, Marzouq Al-Ghanim, hodhi të shtunën një kopje të “Marrëveshjes së Shekullit” të SHBA-së në kosh mbeturinash, duke theksuar se “lindi e vdekur” dhe “duhet të hidhet në koshin e historisë” .
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një veprim i tillë ka ndodhur gjatë fjalimit të Al-Ghanim para konferencës emergjente të Unionit Parlamentar Arab, që u mbajt në kryeqytetin jordanez Aman, mes duartrokitjeve të mëdha nga delegacionet arabe pjesëmarrëse.
Ndërsa hedh një kopje të Marrëveshjes së Shekullit, Kryetari i Parlamentit Kuvajtian tha: “Në emër të popujve arabë dhe islamikë dhe njerëzve të ndershëm të botës, unë them se këto dokumente të të ashtuquajturës Marrëveshje të Shekulli duhet të hidhet në koshin e historisë”.
Sipas tij, “Marrëveshja e Shekullit ka lindur e vdekur, dhe njëmijë administrata dhe njëmijë institucione propagande dhe reklamimi do të jenë të padobishme në promovimin e saj”.
Ai vazhdoi: “Kushdo që dëshiron të promovojë një zgjidhje paqësore duhet të punojë për të krijuar kushte të shëndetshme, të barabarta dhe të drejta për negociata në ndjekjen e një paqeje të vërtetë që përfundon me një shtet palestinez me të drejta të plota në të gjithë territoret palestineze, me Jerusalemin si kryeqytetin e tij”.
Ndryshe, presidenti amerikan, Donald Trump, ditë më parë ka prezantuar atë që e ka quajtur Plani për Paqe në Lindjen e Mesme.
Gjatë prezantimit të planit, Trump ka thënë se plani që ai po zbulon përfaqëson një hap të madh drejt paqes në Lindjen e Mesme.
“Sot Izraeli bën një hap të madh drejt paqes. Të rinjtë në të gjithë Lindjen e Mesme janë gati për një të ardhme më shpresëdhënëse, dhe qeveritë në të gjithë rajonin po kuptojnë se terrorizmi dhe ekstremizmi islamik janë armiku i përbashkët i të gjithëve”, ka thënë fillimisht Trump.
Po sipas të njëjtit medium, Trump tha se nën vizionin e tij, Jerusalemi “do të mbetet kryeqyteti i pandarë i Izraelit, shumë i rëndësishëm, i pandarë i Izraelit”. /Telegrafi/