Telegrafi

Kryeministria britanike u informua disa orë para se të bëhej publike vdekja e Mbretëresha Elizabeth II

Liz Truss u informua për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II në orën 16:30 të ditës së sotme gjersa njoftimi zyrtar u bë pas orës 19:00.

Lajmin ka konfirmuar sekretari i kabinetit të kryeministres së Britanisë së Madhe, Simon Case.

Lexo po ashtu Pas vdekjes së Mbretëresha Elizabeth II, Mbreti Charles III lëshon deklaratën e parë

Pas deklaratës së saj në Downing Street, Truss foli me Mbretin Charles III dhe ajo pritet të takohet sonte me ministrat e kabinetit qeveritar.

Ndërkohë, Truss tha se “ne jemi të gjithë të shkatërruar” nga lajmi i vdekjes së Mbretëreshës, i cili është një “tronditje e madhe për kombin dhe botën”.

Ajo e përshkruan Mbretëreshën si “një shkëmb mbi të cilin u ndërtua Britania moderne”, duke shtuar se “Britania është vendi i madh që është sot për shkak të saj”.

Kryeministria tha se mbretëresha ishte një frymëzim personal për të, si dhe për shumë britanikë “Përkushtimi i saj ndaj detyrës është shembull për të gjithë ne”, raporton bbc.

Lexo po ashtu Liderët botëror reagojnë pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II

“Sot Kurora i kalon, siç ka bërë për më shumë se një mijë vjet, monarkut tonë të ri, kreut tonë të ri të shtetit, Madhërisë së Tij Mbretit Charles III. Me familjen e Mbretit ne vajtojmë humbjen e nënës së tij dhe jemi bashkë. Ne i ofrojmë atij besnikërinë dhe përkushtimin tonë, ashtu si nëna e tij na ka kushtuar kaq shumë për kaq shumë kohë”, tha e para e qeverisë britanike.

Ajo e përfundon deklaratën e saj duke thënë se është “kalimi i epokës së dytë elizabetiane. Zot ruaje mbretin”. /Telegrafi/