Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal, i cili i është drejtuar Këshillit të Evropës, tha se Vladimir Putin ka filluar “luftën në shkallë të gjerë” në qendër të Evropës, që mund të nxit “Luftën e Tretë Botërore”.
Ai i bëri thirrje anëtarëve të Këshillit që të aprovojnë një zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainë – për të “mbrojtur të gjithë në Evropë”, transmeton Telegrafi.
“Po pyesim, kërkojmë – të mbyllni qiellin mbi Ukrainë për hir të miliona njerëzve në Ukrainë. Për hir të evropianëve dhe sigurinë e botës”, tha ai.
Shmyhal ka falënderuar “nga thellësia e zemrës”, Poloninë, Sllovakinë, Hungarinë, Rumaninë, Moldavinë, Lituaninë dhe vendet e tjera evropiane, për përkrahjen e tyre dhe që u kanë ofruar strehim ukrainasve që janë larguar nga lufta. /Telegrafi/