Kryeministri sllovak Robert Fico njoftoi se qeveria e tij do të vlerësojë masat e mundshme reciproke kundër Ukrainës, duke përfshirë ndalimin e furnizimit me energji elektrike, nëse Ukraina ndal transitin e gazit rus në Sllovaki pas 1 janarit.
“Pas 1 janarit, ne do të vlerësojmë situatën dhe mundësitë e masave reciproke kundër Ukrainës”, tha Fico.
“Nëse është e pashmangshme, ne do të ndalojmë furnizimin me energji elektrike që i nevojitet Ukrainës”, shtoi ai.
I menjëhershëm ishte reagimi i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky i cili akuzoi Ficon për hapjen e një “fronti të dytë energjetik” kundër Ukrainës me urdhër të Rusisë, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
“Duket se Putini i dha Ficos urdhrin për të hapur frontin e dytë të energjisë kundër Ukrainës në kurriz të interesave të popullit sllovak”, shkroi Zelensky në X.
It appears that Putin gave Fico the order to open the second energy front against Ukraine at the expense of the Slovak people’s interests. Fico’s threats to cut off Ukraine’s emergency power supply this winter while Russia attacks our power plants and energy grid can only be…
— Volodymyr Zelenskyy / Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) December 28, 2024
Zelensky tha se Sllovakia aktualisht përbën 19% të importeve të energjisë elektrike të Ukrainës dhe se Ukraina po punonte me fqinjët e saj të Bashkimit Evropian për të forcuar furnizimin.
“Sllovakia është pjesë e tregut të vetëm evropian të energjisë dhe Fico duhet të respektojë rregullat e përbashkëta evropiane”, shkroi ai, duke shtuar se ndërprerja e furnizimit me energji elektrike në Ukrainë do t’i privonte Sllovakisë 200 milionë dollarë në vit.
Edhe ministria e Jashtme e Ukrainës tha në një deklaratë se Fico ishte në anën e Putinit duke bërë “kërcënime të pakuptimta” për të ndërprerë importet e energjisë në Ukrainë. /Telegrafi/