Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se Luksemburgu dhe Kosova kanë lidhje të fuqishme.
Duke folur për tensionet në veri, Bettel ka thënë se nuk kanë ardhur këtu për të gjykuar por për të dëgjuar dhe për t’u munduar për të gjetur një zgjidhje.
“Kur kemi planifikuar këtë udhëtim nuk kemi pritur që do të jenë këto tensione që janë në rajon, dhe i thamë edhe Kurtit që nuk jemi këtu për të gjykuar por për të dëgjuar dhe të mundohemi të ndërtojmë ura mes fqinjëve. Dje ishim në Beograd e sot në Prishtinë dhe ishte e rëndësishme të shkëmbejmë dhe të dimë se është një udhërrëfyes nga BE-ja”, tha kryeministri i Luksemburgut.
Bettel shtoi se duhet të shmanget çdo mundësi e ndonjë krize të re.
“Ju e dini se çka do të thonë tensionet, kështu që ne duhet të shmangim çdo mundësi të ndonjë krize të re të mundshme ku shoqëria civile dhe populli vuan më së shumti. Ju mund të llogarisni në ne, nganjëherë është e vështirë të kemi diskutime me fqinjët, për ne e rëndësishme është të besojmë në punën e përfaqësuesit të lartë të BE-së dhe të dërguarit të BE-së dhe të kemi dialog të hapur”, tha Bettel.
Ai shtoi zakonisht keni shumë miq kur jeni të suksesshëm, por keni shokë të vërtetë kur keni vështirësi dhe ju duhet përkrahje.
“Nuk jemi shteti më i madh, dhe e dimë se duke punuar me të tjerët është shumë me rëndësi për të gjetur zgjidhje. Ju mund të llogarisni në ne”, tha Bettel. /Telegrafi/