Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka organizuar pritje për artistët pjesëmarrës të bienales nomade “Manifesta 14 Prishtina”, që ka filluar dje në Prishtinë.
Kryeministri i falënderoi artistët për pjesëmarrjen dhe kontributin në Manifesta, e cila për 100 ditë do të jetë aktive, përditë, në 25 vende të ekspozimit të veprave artistike të 103 artistëve nga 30 shtete.
Ai falënderoi artistët kosovarë të cilët jetojnë në Kosovë dhe ata të cilët janë kthyer që të jetojnë gjatë kësaj Manifeste, sepse, sipas kryeministrit, ky bashkëpunim i artistëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë dhe atyre vendorë që janë në mërgatë dhe atyre vendorë që janë në vend, natyrisht që e rritë shkëmbimin edhe përvojën e të gjithëve.
Në veçanti, kryeministri falënderoi znj. Hedwig Fijen, e cila si udhëheqëse dhe organizatore ka punuar shumë për atë që do të përjetojmë ne gjatë këtyre 100 ditëve.
“Kanë mbetur edhe 99 ditë, pra po i numërojmë teposhtë, në njërën anë gëzohemi që po kemi kaq shumë ditë përpara, por në tjetrën anë hidhërohemi me çdo ditë që na shkon sepse çdo ditë është e papërsëritshme për përvojat dhe për ndjesitë që ne i fitojmë nga Manifesta, tha kryeministri..
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
“Mirëdita të gjithëve,
Faleminderit shumë për ardhjen në këtë pritje, në kuadër të Manifestas, e cila për 100 ditë do të jetë aktive, përditë në 25 vende të ekspozimit të veprave artistike të artistëve nga 30 shtete, gjithsej 103 prej tyre, duke e ndryshuar kryeqytetin e Republikës sonë dhe duke e na zbuluar sigurisht edhe më të mire, edhe më të bukur atë.
Në veçanti dua ta përgëzoj Yllin, i cili nuk ka pasur nevojë të mundohet shumë gjatë të më bindë për ta shkruar letrën e mbështetjes që Prishtina të jetë nikoqire e Manifestës.
Mirëpo, nuk mund të thuhet më që jemi aq të sigurt se kush janë nikoqirët e kush janë mysafirët. Kufiri është duke u zbehur me shpejtësi meqenëse teksa ne presim artistë nga jashtë vendit, në të njëjtën kohë edhe mirëpritemi në Manifesta e cila paraqet një ngjarje të jashtëzakonshme kulturore dhe artistike që filloi në një mbrëmje të mrekullueshme dje.
Në veçanti dua ta falënderoj zonjën Fijen, e cila si udhëheqëse dhe organizatore ka punuar shumë për atë që do të përjetojmë ne gjatë këtyre 100 ditëve. Kanë mbetur edhe 99 ditë, pra po i numërojmë teposhtë, në njërën anë gëzohemi që po kemi kaq shumë ditë përpara, por në tjetrën anë hidhërohemi me çdo ditë që na shkon sepse çdo ditë është e papërsëritshme për përvojat dhe për ndjesitë që ne i fitojmë nga Manifesta.
Dua ta përshëndes gjithashtu edhe kryebashkiakun e Palermos dhe ambasadorin Italian, shkëlqesinë e tij, Antonelle De Riu, të cilët na kanë nderuar me pjesëmarrjen e tyre sot. Gjithashtu dua të falënderoj artistët kosovarë të cilët jetojnë në Kosovë dhe ata të cilët janë kthyer që të jetojnë gjatë kësaj Manifeste, sepse ky bashkëpunim i artistëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë dhe atyre vendorë që janë në mërgatë dhe atyre vendorë që janë në vend, natyrisht që e rritë shkëmbimin edhe përvojën e gjithë neve e të secilit.
Më vjen keq që është kaq nxehtë, është kaq vapë, por nuk e ka fajin vetëm moti, e kemi fajin edhe ne vetë, të cilët jemi bërë kaq shumë bashkë në një vend i cili duket se ka qenë i vogël për këtë rast.
Faleminderit shumë nga zemra për kontributin e deritanishëm dhe për angazhimin që po e bëni për njëri-tjetrin, për të shprehur veten dhe për shoqërinë e komunitetin në përgjithësi.
Ju faleminderit”.