Site icon Telegrafi

Kryeministri Kurti e dënon ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve në Shtërpcë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka dënuar ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve në Shtërpcë.

Përmes një postimi në Facebook, kreu i ekzekutivit është shprehur thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre.

“Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin, i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë”, ka shkruar Kurti.

Tutje, ai ka deklaruar se njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti, të cilin e ka quajtur papranueshëm dhe të dënueshëm.

“Dua të siguroj të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim”.

Dy persona, njëri 11-vjeçar e tjetri 21-vjeçar, janë plagosur këtë të premte në fshatin Drajkovc të Shtërpcës, pasi në drejtim të tyre është shtënë me armë zjarri nga një automjet në lëvizje.

I dyshuari për këtë rast, A.K. i moshës 33 vjeçar, është identifikuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version