Kryeministri britanik, Boris Johnson i tha presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë një telefonate të martën se Ukraina mund ta rimarrë territorin e pushtuar së fundmi nga Rusia, tha një zëdhënëse e Downing Street.
“Kryeministri tha se bota qëndron prapa Ukrainës dhe ai besonte se ushtria e presidentit Zelensky mund të rimarrë territorin e kapur së fundmi nga forcat e Putinit”, shtoi ajo, transmeton Telegrafi.
Johnson e përditësoi Zelenskyn për pajisjet më të fundit ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar që po dërgohen në Ukrainë, “duke përfshirë 10 sisteme artilerie vetëlëvizëse dhe municione bredhëse, të cilat do të mbërrinin në ditët dhe javët e ardhshme”, tha zëdhënësja.
Të dy gjithashtu biseduan edhe për qytetarët britanikë që janë zënë nga rusët në Ukrainë.
Bëhet fjalë për Aiden Aslin, 28-vjeç dhe Shaun Pinner, 48, që u zunë nga forcat ruse derisa po luftonin përkrah ukrainasve.
Ata janë dënuar me vdekje nga separatistët pro-rusë, pavarësisht që Aslin ka apeluar vendimin. /Telegrafi/