Telegrafi

Kryeministri i Australisë e godet rëndë të pavaksinuarin Novak Djokovic: Tani është koha ta shijojmë tenisin

Ka marrë fund saga e Novak Djokovic i cili u largua nga Australia si një person që rrezikon shëndetin publik.

Tenisti serb nuk ishte i vaksinuar me asnjërën dozë të vaksinës anti-COVID dhe nuk i lejua pjesëmarrja në turneun prestigjioz Australian Open.

Tani, Djokovic është deportuar nga Australia dhe të gjithë në këtë shtet janë të qetë – e turneu Australian Open mund të vazhdojë pa të.

Tani për tenistin e papërgjegjshëm dhe të pavaksinuar, Novak Djokovic ka folur edhe kryeministri i Australisë, Scott Morrison.

I pari i qeverisë australiane, ka thënë se Gjykata Federale e Australisë i ka hequr vizën serbit dhe ky vendim është marrë për të mirën e shëndetit dhe sigurisë së popullit australian.

“Gjykata Federale e Australisë ka vendosur njëzëri të refuzojë kërkesën e z. Novak Djokovic për rishikim gjyqësor, i cili kërkon të kundërshtojë vendimin e Ministrit të Emigracionit për heqjen e vizës. Ky vendim për anulim është marrë për shëndetin, sigurinë dhe rendin, sepse ishte në interes të publikut, vendimi për të mbajtur kufijtë tanë të fortë dhe popullin të sigurt”, tha Scott Morrison.

Krejt në fund Morrison, shtoi se ky ka qenë vendim i duhur dhe se tani pas largimit të Djokovic nga vendi i tij është koha që ta shijojnë tenisin dhe turneun prestigjioz Australian Open.

Lexo po ashtu Djokovic largohet përfundimisht nga Australia

“Qeveria jonë e ka kuptuar gjithmonë këtë dhe ka qenë e gatshme të marrë vendimet dhe veprimet e nevojshme për të mbrojtur kufijtë tanë. Falënderoj gjykatën për veprimin e saj të shpejtë për këtë çështje dhe durimin e të gjithë të përfshirëve ndërsa punuam për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Tani është koha për të vazhduar me Australian Open dhe për t’iu rikthyer shijimit të tenisit”, përfundoi Morrison. /Telegrafi/