Telegrafi

Kryeqyteti rus i jep fund mobilizimit për luftë në Ukrainë

Zyrat e ushtrisë do të mbyllen në Moskë nga e hëna pasi kuotat e Kremlinit për rekrutimin e rezervistëve për të luftuar në Ukrainë janë përmbushur në kryeqytet, njoftoi kryebashkiaku i qytetit Sergei Sobyanin.

“Pikat e grumbullimit për personat e mobilizuar do të mbyllen më 17 tetor 2022, në orën 14:00”, ka thënë Sobyanin në faqen e tij të internetit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ai tha se “detyra e mobilizimit të pjesshëm” – e shpallur pak më shumë se një muaj më parë – ishte “përfunduar plotësisht” në qytet.

Sobyanin tha se letrat e thirrjes të dërguara në Moskë nuk ishin më të vlefshme. Megjithatë, ai nuk ka treguar se sa burra të Moskës ishin thirrur.

Njoftimi i kryebashkiakut erdhi tri ditë pasi presidenti Vladimir Putin premtoi se do të përfundonte lëvizjen e tij të mobilizimit “brenda dy javësh”.

Udhëheqësi rus tha se 222,000 njerëz nga një objektiv prej 300,000 ishin tashmë të mobilizuar.

E shpallur më 21 shtator, thirrja e Putinit çoi në një eksod të madh të rusëve në vendet fqinje.

Kështu, Moska, e cila tradicionalisht prodhon shumë më pak ushtarë sesa rajonet më të varfra dhe të largëta të Rusisë, është e para që i dha fund mobilizimit. /Telegrafi/