Kryetari i bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin, ka lëshuar një deklaratë në Telegram duke njoftuar se “në Moskë është shpallur një regjim operacioni kundër terrorizmit” dhe se e hëna do të jetë një “ditë jo pune” për “minimizimin e rreziqeve”.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ai u kërkoi moskovitëve që “të përmbahen nga udhëtimet nëpër qytet sa më shumë që të jetë e mundur”.
“Shërbimet e qytetit janë në gatishmëri të lartë” citohet të ketë thënë ai.
Ndryshe, mercenarët e Wagner duket se po lëvizin në veri nga rajonet qendrore të Rusisë, në drejtim të kryeqytetit.
Më herët, autoritetet ruse njoftuan një “operacion kundër-terrorist” në qytetin e Moskës, rajonin e Moskës dhe rajonin e Voronezh në jug.
Kjo u jep autoriteteve një sërë kompetencash të veçanta duke përfshirë: Kufizimi i lëvizjeve të njerëzve dhe transportit; Monitorimi ose kufizimi i komunikimeve; E drejta për të kontrolluar njerëzit dhe automjetet; si dhe evakuimi i popullatës nëse është e nevojshme.
Mercenarët rus të Wagnerit kanë filluar një rebelim ndaj pushtetarëve të Kremlinit.
Yevgeny Prigozhin, shefi i Wagnerit, ka akuzuar udhëheqjen ushtarake ruse se ka bombarduar kampet e saj me raketa, derisa së bashku me ushtarët e tij ia kanë mësyrë Moskës.
Trupat e Wagnerit gjenden rreth 300 kilometra afër Moskës. /Telegrafi/