Telegrafi

Kryebashkiaku i Mariupolit largohet nga qyteti, por vazhdon përpjekjet për evakuimin e qytetarëve

Kryetari i Mariupolit, Vadym Boychenko është larguar nga qyteti ukrainas, por është ende në “kontakt të vazhdueshëm” me autoritetet në përpjekjet për shpëtimin e civilëve, njoftoi këshilli lokal.

Qyteti kryesor port ka qenë një objektiv i rëndësishëm për forcat ruse dhe ka qenë nën breshëri të përditshme sulmesh që nga fillimi i agresionit, raporton skynews.

Kreu i administratës ushtarake rajonale të Donetskut, Pavlo Kyrylenko tha se “Nuk ka asnjë lidhje në Mariupol, kështu që Boychenko duhej të ishte në një vend tjetër”.

“Ne jemi në kontakt me të dhe vazhdojmë të punojmë për krijimin e një korridori të gjelbër për evakuimin e njerëzve. Kjo punë është tepër e vështirë dhe kryhet në komunikim të plotë me kolegët e mi të Zaporizhias dhe kryebashkiakun Vadym Boychenko”, pohoi ai.

Ndryshe, Rusia po vazhdon të bombardojë qytetet ukrainase duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale. /Telegrafi/