Site icon Telegrafi

Kryebashkiakja e Barcelonës ndërpret lidhjet me Izraelin, përmend të drejtat palestineze

Kryebashkiakja e Barcelonës ka ndërprerë lidhjet zyrtare të qytetit të saj me Izraelin, duke e akuzuar vendin për “krimin e aparteidit kundër popullit palestinez”.

Vendimi i së mërkurës nga kryebashkiakja Ada Colau ka pak ndikim praktik – me efektin më konkret që është ndalimi i marrëveshjes së binjakëzimit 25-vjeçar me Tel Aviv, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Por njoftimi nga qyteti, një destinacion popullor turistik dhe shtëpia e një prej klubeve më të njohura të futbollit në botë, mbart simbolikë të rëndësishme dhe i shtohet një liste në rritje të kritikëve që e kanë etiketuar Izraelin një shtet aparteidi.

Izraeli hedh poshtë akuza të tilla si delegjitimuese dhe antisemitike.

Në një letër drejtuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Colau tha se hapi erdhi si përgjigje ndaj një fushate nga dhjetëra grupe lokale dhe mijëra aktivistë.

Ajo përmendi një sërë politikash izraelite, duke përfshirë pushtimin ushtarak 55-vjeçar të Bregut Perëndimor, aneksimin e Jerusalemit lindor dhe ndërtimin e vendbanimeve në tokat e pretenduara nga palestinezët për një shtet të ardhshëm.

Ministria e Jashtme e Izraelit e quajti vendimin e Barcelonës “fatkeq” dhe pretendoi se ishte kundër dëshirave të shumicës së popullsisë së qytetit.

“Vendimi u jep mbështetje ekstremistëve, organizatave terroriste dhe antisemitizmit. Miqësia mes Izraelit dhe Barcelonës është e gjatë dhe bazohet në kulturën dhe vlerat e përbashkëta. Edhe ky vendim fatkeq nuk do ta dëmtojë këtë miqësi”. /Telegrafi/

Exit mobile version