Massimiliano Allegri ka marrë pesë pikë më pak se Andrea Pirlo në 10 ndeshjet e para në Serie A, ndërkohë që kriza e Juventusit ka vazhduar me humbjen nga Sassuolo të mërkurën mbrëma.
Zonja e Vjetër pësoi humbjen e parë pas dhjetë ndeshjeve në të gjitha garat, ndërsa fillimi i keq i sezonit vazhdon ta përndjek trajnerin, përkundër që Bianconerët u rikthyen për një periudhë me disa lojë të mira në Evropë dhe në Itali.
Porse humbja nga Sassuolo ishte e treta këtë sezon, derisa tri të tjera kanë përfunduar me barazim duke u përfshirë ato ndaj Milanit dhe Interit.
Andrea Pirlo u shkarkua nga Juventusi pas sezonit të vështirë 2020/2020, por e fitoi Superkupën dhe Kupën e Italisë në edicionin e tij të parë si trajner i bardhezinjve.
Mirëpo, paraqitjet në Ligën e Kampionëve dhe pozita e katërt në Serie A nuk mjaftuar që ish-mesfushori ta mbante punën në Allianz Stadium.
Allegri u rikthye për ta zëvendësuar atë, por ka dështuar të ketë ndikim të menjëhershëm në rezultate.
Në fakt, strategu italian ka fituar pesë pikë më pak se Pirlo në 10 ndeshjet e para kampionale dhe 11 pikë më pak se Maurizio Sarri në të njëjtat ndeshje në sezonin 2019/2020 kur Juve e kishte fituar për herë të fundit Scudetton.
Aktualisht, Zonja e Vjetër mban vendin e shtatë në tabelë dhe ka 13 pikë më pak se pozita e parë, ndërsa asnjë skuadër nuk ka arritur të rikuperojë aq shumë pikë saqë të mund ta fitojë titullin në një sezon kur ka ekzistuar një diferencë kaq e madhe pas dhjetë ndeshjeve të para.
Në të njëjtën periudhë, ekipi i Pirlos qëndronte në vend të tretë me gjashtë pikë më pak se vendi i parë në sezonin 2020/2021, kurse skuadra e Sarrit në sezonin 2019/2020 kryesonte në tabelë pas 10 sfidave të para. /Telegrafi/