Telegrafi

Kriza energjetike në botë, Norvegjia planifikon të mbajë një nivel të lartë të prodhimit të gazit

Norvegjia planifikon të mbajë prodhimin e gazit në një nivel të lartë deri në fund të dekadës, por do ta shesë atë me çmimet e tregut.

Sipas parashikimeve zyrtare, vendi duhet të prodhojë rreth 122 miliardë metra kub gaz këtë vit, 8 për qind më shumë se 2021 dhe potencialisht të tejkalojë rekordin e pesë vjetëve më parë. Deri më 2026, prodhimi duhet të bjerë në 118 miliardë metra kub.

Vendi është tani eksportuesi më i madh i gazit në Evropë, duke kaluar Rusinë, e cila ka ulur eksportet.

“Unë pres që ne mund të ruajmë nivelin aktual të prodhimit deri në vitin 2030. Ne e dimë se ka projekte dhe plane për zhvillimin dhe funksionimin që mund të ndihmojnë në ruajtjen e prodhimit të lartë të gazit në të ardhmen”, tha ministrit norvegjez të Energjisë, Terje Aasland.

Lexo po ashtu Rriten ҫmimet e gazit në Evropë mes frikës për një ndërprerje të furnizimeve nga Rusia

Aasland tha gjithashtu se ai ishte edhe më i sigurt për kërkesën afatgjatë për gaz norvegjez në Evropë pasi Oslo nënshkroi një marrëveshje me Brukselin në qershor që parashikon rritjen e importeve evropiane të gazit norvegjez.

Çmimet e gazit në Evropë janë pothuajse trefishuar këtë vit dhe Norvegjia nuk ka në plan ta shesë atë nën çmimin e tregut, siç kanë sugjeruar disa analistë dhe media.

Equinor, prodhuesi më i madh shtetëror i naftës dhe gazit në Norvegji, planifikon të rrisë investimet në energjinë e rinovuar dhe teknologjinë me karbon të ulët dhe të rritet në një prodhues të “një gamë të gjerë produktesh energjetike”. /Telegrafi/