Site icon Telegrafi

Kriza energjetike në botë – a lehtësohet nga ulja e prodhimit të plastikës?

Prodhimi i plastikës varet nga nafta dhe gazi dhe ulja prodhimit të saj si përgjigje ndaj krizës së energjisë nuk është bërë.

Një raport i ri thotë se ky është momenti për të vepruar.

Që marrëdhënia jonë kolektive me plastikën është e pashëndetshme, është një fakt që është dokumentuar mirë.

Është një marrëdhënie që ne e kemi marrë për të vetëkuptueshme dhe prej së cilës e kemi të vështirë të shkëputemi, megjithëse ajo shpesh është helmuese.

Por kjo gjë është kuptuar pak

Përfundimet e arritura në raport nga lëvizja botërore Break Free From Plastic dhe organizata joqeveritare Center for International Environmental Law (CIEL), tregojnë për këtë dhe se si përdorimi i më pak plastikëve mund të çlirojë më shumë energji për të ngrohur shtëpitë.

Në studimin “Dimri po vjen: plastika duhet larguar”, CIEL dhe Break Free From Plastic, që kanë anëtare mes tyre më shumë se 1,900 shoqata joqeveritare, thonë se mospërdorimi i plastikëve dhe paketimeve me një përdorim janë hap konkret që duhet hedhur nga vendim-marrësit për të kontribuar në përpjekjet e gjithanshme për të ulur konsumin e lëndëve djegëse me bazë fosile.

Autorët e studimit thonë, se ka ardhur koha që BE “të konfrontohet me problemin kryesor të lëndëve djegëse që është plastika”.

Lidhja midis gazit, naftës dhe plastikës

Plastika, një nënprodukt derivat i lëndëve djegëse me bazë fosile, që prodhohet në procese që konsumojnë shumë energji dhe që ose hidhet, ose digjet ose riciklohet, shkon krah për krah me emetimin e dyoksidit të karbonit në çdo hap të jetës. Prodhimi i plastikës në Evropë është rritur nga 0.35 milionë tonelata në vitin 1950 në 55 milionë tonelata në vitin 2020 dhe plastika ka tregun më të madh të industrisë petrokimike të BE.

Sipas raportit të në fjalë, gati 15 për qind e gjithë gazit të BE dhe 14 për qind e naftës janë harxhuar në vitin 2020 për të prodhuar petrokimiatet. Pjesa më e madhe e tyre ka shkuar për të prodhuar plastika. Raporti shënon për shembull, se sasia e gazit të përdorur për të prodhuar plastikën, është e njëjtë me sasinë e gazit që harxhohet në përgjithësi nga Holanda.

Po ashtu, vendet që harxhojnë sasinë më të madhe të gazit dhe naftës për të prodhuar plastikë, Belgjika, Gjermania, Spanja, Franca, Italia, Holanda dhe Polonia, janë përgjegjës për 77 për qind të të gjithë mbetjeve plastike në BE.

Duke pasur parasysh këtë fakt si dhe përpjekjet për të gjetur burime gazi jashtë Rusisë, Delphine Levi Alvares, koordinatore evropiane e organizatës Break Free From Plastic thotë se është gabim serioz të mos e përfshish këtë sektor në programin e BE-së “Ruaje gazin për dimrin”, i cili synon të sigurojë ngrohje dhe rrymë për rajonin në muajt e ardhshëm.

“Ndërkohë që familjet dhe biznesi i vogël janë duke u përballur me fatura energjie që kanë shkuar në stratosferë, industria petrokimike është duke i harxhuar burimet e pakta për të prodhuar plastikë të panevojshme njëpërdorimshe, duke e ndezur edhe më shumë krizën e energjisë në BE,” tha ajo gjatë publikimit të studimit.

Një rrugë e tri punë

Andy Gheorghiu, një aktiviste klime përfshirë në përpilimin e raportit, thotë se fakti që njerëzve po u thuhet të durojnë të ftohtët dhe të ngrohin më pak ndërkohë që “ne vazhdojmë të ushqejmë me sasi të madhe nafte dhe gazi këtë monstër që quhet industri petrokimike dhe plastike, tregon diskrepancë serioze midis asaj, që pritet të bëjnë individët dhe asaj që pritet të bëjë industria. Por ai thekson edhe se si luftimi i plastikës njëpërdorimshme këto momente ofron një shans të vërtetë për të luftuar të tria krizat në të njëjtën kohë: krizën plastike, krizën e klimës dhe krizën e energjisë”.

Raporti ka në fund një seri rekomandimesh. Ato përmbajnë si rekomandime që vendet e BE-së të vendosin kufi për të ulur sasinë e përgjithshme të paketimeve që lejohet të hyjë në tregun e tyre, të vendosin limit në volumin e prodhimit të plastikës në të gjithë botën dhe të pezullojnë ndërtimin e infrastrukturave të reja për nxjerrjen e lëndëve djegëse me bazë fosile, përfshirë edhe impiantet petrokimike.

Autorët po ashtu bëjnë thirrje për parandalimin ambicioz dhe të detyrueshëm dhe ripërdorimin e 50 përqind të plastikëve deri në vitin 2030 dhe 80 për qind deri në vitin 2040 dhe ndalimin e paketimeve të panevojshme, si për shembull paketimin individual një përdorimesh dhe paketimin e frutave dhe perimeve.

Ndalim plastike në Evropë?

Por Gheorghiu shkon një hap më tej.

“Unë personalisht do të thoja, se tani ka ardhur koha për ta mbyllur industrinë e plastikës në Evropë. Me fjalë të tjera, ai do të donte të shihte ndalimin e menjëhershëm të të gjithë prodhimit të plastikës së virgjër. Të paktën për periudhën e dimrit. Ai po ashtu kërkon që të bëhen analiza në nivel evropian bazuar tek raporti. Ai duhet të përmbajë zgjerimin e studimit tonë dhe analizimin e industrisë petrokimike duke listuar çfarë produktesh është duke prodhuar dhe duke parë nëse ajo janë thelbësore apo jo”, tha Gheorghiu.

Siç duket gjendja nuk shihet që të jetë parashikuar ndonjë ndalim prodhimi

Në një deklaratë për Deutsche Wellen, zëdhënësi i shtypit Adalbert Jahnz tha se Komisioni Evropian është “duke zbatuar një plan gjithëpërfshirës për të bërë ndryshimet e duhura në drejtim të ekonomisë rigjenerative”, i cili do të merret me “përdorimin e gjithë burimeve përfshirë lëndët djegëse fosile për prodhim plastike në aksione të shumta, siç janë përpilimi i legjislacionit”.

Megjithëse Evropa ka bërë disa hapa në drejtim të plastikës, përfshirë strategjinë e saj të 2018, ndalimin e mëvonshëm të disa artikujve me një përdorim, si dhe rolin që luan në përpilimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të detyrueshme për t’i dhënë fund ndotjes plastike, raporti thotë se Unioni duhet të bëjë tani hapa drejt ndalimit direkt të prodhimit të plastikës së re.

Ulje e prodhimit të plastikës kundrejt faturave të larta të energjisë

Gheorghiu shpreson që përveç theksimit të lidhjeve midis plastikës, klimës dhe krizës së energjisë, studimi i ri do të “nxisë fillimin e një debati mbi prodhimin e plastikës së virgjër dhe mbi nevojën e reduktimit të paketimit me një përdorim në Evropë.”

Ai është optimist se perspektiva e dimrit që po vjen do të thotë që rezultatet e studimit do të përhapen si tek politikëbërësit ashtu tek publiku i përgjithshëm.

“Unë mendoj se për politikanët është shumë më e lehtë që të marrin masa kundër plastikës me një përdorim se sa të marrin masa të tjera që kanë të bëjnë me gjëra si sistemet e ngrohjes nëpër shtëpi ose rritja e faturave të energjisë prej tyre”, përfundon ai. /Deutsche Welle/

Exit mobile version