Site icon Telegrafi

Kriza ekonomike dhe energjetike në vend, LDK: Qeveria luan rolin e spektatorit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa ka thënë se Qeveria aktuale ka zgjedhur të luaj rolin e spektatorit përderisa qytetarët po përjetojnë gjendjen e rëndë ekonomike me norma rekorde të inflacionit.

Mustafa përmes një konference për media ka thënë se LDK në pranverën e vitit 2021 kishte paralajmëruar edhe krizën e energjisë elektrike, e cila u injorua nga pushteti.

“Përderisa qytetarët e Kosovës po e përjetojnë gjendjen e rëndë me norma rekorde të inflacionit, me çmime stratosferike të produkteve bazike, të cilat nga muaji në muaj po shkojnë duke u rritur, pushteti ka zgjedhur ta luaj rolin e spektatorit. Ishte pranvera e vitit 2021 kur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku paralajmëroi krizën e energjisë elektrike, ndërsa përgjigja e parë e pushtetit ishte pa dëgjueshmëria, ndërsa përgjigja e dytë ishte dhe këtu po e citoj ‘se nuk ka krizë, nuk kemi se si të merremi me krizë’ ”, tha Mustafa.

E sipas tij, kur arriti kriza në vend pushteti insistoi se nuk do të ketë reduktime të energjisë dhe se nuk do të ketë shtrenjtim të faturave energjetike, përcjell Telegrafi.

“Nuk vonoi shumë dhe fatkeqësisht ndodhi ajo që ne në LDK patëm paralajmëruar. Përveçse filluan reduktimet, u shtrenjtua edhe fatura e energjisë elektrike. Kjo konferencë sot është paralajmërimi i radhës, se qeveria ende s’ka ndërmarr asnjë hap apo masë konkrete që qytetarëve tanë në këtë dimër të mos u shtohet dhe një barrë në xhepin e tyre”, tha ai.

Mustafa u shpreh se qeveria merr vendime boshe dhe kompanitë e sektorit të energjisë janë zhytur në borxhe ndaj njëra-tjetrës dhe ndaj tregut ndërkombëtarë.

“Qeveria premton 90 milionë euro subvencione për energjinë, ndërsa sektori i energjisë po shkon drejt bankrotimit. Aq e rënduar është gjendja, aq të pakoordinuar janë veprimet e qeverisë, sa që edhe ZRRE-ja, tanimë e shndërruar në departament të qeverisë të enjten shprehu shqetësimin e saj…”, tha ai.

Mustafa tha se LDK tash e disa kohë ka dhënë propozimet e saj për zbutjen e krizës energjetike.

“LDK tash e sa kohë ka dhënë propozime konkrete për zbutjen e efekteve të kësaj krize, si: Remonti me kohë i blloqeve të KEK-ut, sigurimi në kohë i importit të energjisë elektrike përmes kontratave afatgjata dhe me kosto të përballueshme, eliminimi i tërësishëm i TVSH-së në faturat e energjisë elektrike, eliminimi i tarifave diskriminuese, masa nxitëse si burim alternativ për ngrohje, masa nxitëse dhe financuese për eficiencë të energjisë”, theksoi ai.

Ndërkaq, ai po ashtu iu drejtua qeverisë me disa pyetje: “ Tanimë që sezoni i dimrit po afron shpejt, i kërkojmë qeverisë t’i përgjigjet këtyre pyetjeve: A do të ketë mjaftueshëm energji në dimër, apo do të ketë reduktime? A do të shtrenjtohet më shumë çmimi i energjisë për qytetarët dhe për prodhuesit vendor dhe nëse po, sa?  Me rastin e rritjes së papërballueshmërisë çka do të bëjë qeveria për qytetarin? Sa familje kosovare rrezikojnë të varfërohen nga rritja e çmimit të energjisë dhe produkteve esenciale?”, tha ndër të tjera, Besian Mustafa nga LDK. /Telegrafi/ 

 

Exit mobile version