I akuzuari, Dardan Krivaqa thotë se tani e ndjera, Marigona Osmani e kishte pranuar se e kishte tradhtuar me djalin e dajës se tij. Ai këtë deklarim e bëri të mërkurën në Gjykatën Themelore të Ferizajt, ku ai bashkë me Arbër Sejdiu, po akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e të ndjerës, Marigona Osmanit.
Mirëpo, një deklarim të tillë e ka kundërshtuar dëshmitari, Endrit Pupa, i cili thotë se ajo për çka po e akuzon Dardan Krivaqa nuk është aspak e vërtetë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në këtë seancë dëshmitari Pupa tha se me tani të akuzuarin Dardan Krivaqa, përveç që kishin lidhje familjare me të njëjtin kishin edhe raporte shumë të mira shoqërore.
Tutje, ai tha se në banesë të djalit të dajës së tij Dardanit kishte shkuar vetëm gjatë periudhës sa Dardani ishte në lidhje me tani të ndjerën Marigona.
“Në kohën kur Dardani ishte në lidhje dashurie me Marigonën kam qenë në banesën e tij, ndërsa pasi filluan të bashkëjetonin dhe u martuan nuk kam qenë asnjëherë”, tha dëshmitari Pupa.
Mbrojtësi i të akuzuarit Dardan Krivaqa, avokati Admor Salihu e ka pyetur dëshmitarin në lidhje me pyetjen që iu kishte parashtruar në polici e cila tha: “A e dini ju se Dardan Krivaqa ju ka akuzuar juve se kinse keni pasur marrëdhënie intime me bashkëshorten e tij? Andaj pyetja e avokatit ishte se pse i akuzuari Krivaqa e kishte akuzuar pikërisht atë.
Dëshmitari Pupa tha se nuk e dinë se Dardani e ka akuzuar për diçka të tillë.
Në këtë fazë të procedurës i akuzuari Dardan Krivaqa tha se para se të vdiste tani e ndjera Marigona Osmani, e kishte telefonuar dëshmitarin Pupa me video-call, ku sipas tij tani e ndjera e kishte pranuar drejtpërdrejt se kishte pasur marrëdhënie me atë.
Sipas tij, e ndjera e kishte akuzuar dëshmitarin Pupa se i njëjti kishte pasur marrëdhënie intime me të.
“Nuk është e vërtetë, nuk më ka thirr, unë atë kohë kam qenë duke punuar, nuk është e vërtetë që unë kam qenë në atë banesë, nëse gjeni vetëm një fakt nxjerreni lirisht”, ka deklaruar dëshmitari Pupa.
Pas kësaj, Dardan Krivaqa ka reaguar duke shtuar se përderisa i njëjti ka qenë duke fjetur në banesën e tij, në dhomën tjetër dëshmitari Pupa dhe tani e ndjera Marigona kishin kryer marrëdhënie intime.
Dëshmitari Pupa ka shtuar se pas ngjarjes kritike, nëna e Dardan Krivaqës e kishte telefonuar babain e tij duke i thënë le të ruhet Endriti se ka me rreh Dardani, mirëpo shtoi se nuk ishte ndjerë i kërcënuar pasi që nuk e dinte për çka bëhej fjalë.
Në këtë seancë ishte planifikuar të dëgjoheshin edhe dëshmitarët Besart Mani dhe Burim Maloku, mirëpo të njëjtin kanë munguar në këtë seancë.
Andaj, seanca e sotme është ndërprerë për të vazhduar të nesërmen më 10 nëntor 2022.
Gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi më 2 shtator 2022, ka marrë aktvendim në bazë të së cilit i ka refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave, të parashtruara nga mbrojtja e të akuzuarve, ndërsa të akuzuarve Krivaqa dhe Sejdiu, iu konfirmua aktakuza.
Kurse, më 23 gusht 2022, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se mbrojtësit e të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët ngarkohen për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani në gusht të vitit 2021, kanë kërkuar hudhjen e aktakuzës.
Ndryshe, më 14 korrik 2022, është mbajtur seanca fillestare ku Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm.
Krivaqën prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.
Sipas aktakuzës i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.
Gjithnjë sipas aktakuzës, aty thuhet se i pandehuri Krivaqa fillimisht pa dëshirën e tani të ndjerës ka kryer marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e kishte dërguar në banjo, nga aty me dhunë e kishte dërguar në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore tani e ndjera Marigona Osmani si pasojë e dhunës së ushtruar kishte humbur aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kishin kryer marrëdhënie seksuale, pastaj i pandehuri Dardan të zhveshur e kishte dërguar në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup,
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, par. 4, nënpar 4.1, lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i pandehuri Arbër Sejdiu më 21 gusht 2021, në banesën e të pandehurit të parë në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje i kishte ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa në kryerjen e veprës penale të dhunimit.
Sipas aktit akuzues thuhet se fillimisht dy të pandehurit kishin kontaktuar përmes telefonit dhe ishin takuar në qytet, pastaj së bashku ishin kthyer në banesë, ku i pandehuri Arbër posa kishte arritur, duke qenë në dijeni se i pandehuri Dardan është duke e dhunuar tani të ndjerën Marigona Osmani, me dashje kishte marrë veprime me të cilat lehtësohet kryerja e dhunimit.
Tutje thuhet se dy të pandehurit së bashku kishin hyrë në dhomën ku kryhet dhunimi, e ku e ndjera ishte e zhveshur, e të cilin veprim gjatë qëndrimit në banesë e merr disa herë, po ashtu dhe gjatë asaj kohe kishte përcjellë gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke lëvizur aty pari.
Siç e përshkruan aktakuza, i pandehuri Arbër Sejdiu po ashtu edhe disa herë kishte dalë nga banesa për të blerë gjëra ushqimore, ndërsa gjatë gjithë kohës dy të pandehurit kishin biseduar mes vete, kështu tutje, të pandehurit Dardan Krivaqa i kishte dhënë telefonin për të thirrë kompaninë e cila menaxhon kamerën, që ishte e vendosur në korridorin e banesës me qëllim që të fshihen video-incizimet, gjegjësisht provat e veprës penale.
Me këtë, Sejdiu akuzohet se ka kryer veprën penale “Nihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, par 4, nënpar. 4.1, lidhur me par. 1 dhe nenin 33 të Kodit Penal.
Kjo aktakuzë në dispozitivin e III-të, dy të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu i ngarkon për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.
Aty thuhet se më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, në rrugën “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën i pandehuri i parë ishte në bashkësi jashtëmartesore.
Tutje, sipas aktakuzës, përshkruhet se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike, ku nga goditjet e njëjta ka pësuar politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par. 1, nënpar. 1.3, 1.4 dhe 1.7, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Ndryshe, dosja e plotë e prokurorisë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, tregon në detaje se si ka ndodhur i gjithë rasti. /BetimipërDrejtësi/