Telegrafi

Kritikoi Kremlinin, rusi dënohet me 7 vjet burg

Një gjykatë në Moskë dënoi një këshilltar opozitar me shtatë vjet burg për kritikat ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Është dënimi i parë i tillë i vendosur sipas ligjit të ri drakonian, i cili ndalon çdo kritikë publike për sulmin e Putinit ndaj Ukrainës.

Alexei Gorinov, një këshilltar në qarkun Krasnoselsky të Moskës dhe gjithashtu një avokat, u arrestua në muajin prill me akuzën e “përhapjes me vetëdije të informacionit të rremë” për ushtrinë ruse.

Kujtojmë se gjatë mbledhjes së këshillit, së bashku me një tjetër këshilltare të opozitës, Elena Kotenochkina, ai kundërshtoi propozimin e këshillit për të mbajtur një garë vizatimi për fëmijë dhe festival vallëzimi pavarësisht luftës në Ukrainë.

“Fëmijët po vdesin në Ukrainë”, tha Gorinov duke shtuar se “Unë besoj se të gjitha përpjekjet e shoqërisë civile ruse duhet të përqendrohen ekskluzivisht në ndalimin e luftës dhe kthimin e ushtrisë ruse nga territori i Ukrainës”. /Telegrafi/