Telegrafi

Kreu i Prokurorisë së Posaçme: Kemi hetime shumë të rëndësishme për pastrim parash dhe korrupsion

Kreu i Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri, Arben Kraja tha sot se institucioni që ai drejton është duke hetuar raste të rëndësishme të pastrimit të parave dhe korrupsionit.

Në takimin e zhvilluar me përfaqësues të Bashkimit Europian në kuadër të projektit të BE-së, EU4LEA për zbatimin e ligjit, Kraja u shpreh se SPAK do të vijojë të jetë bashkëpunues në arritjen e objektivave.

“SPAK është tani e konsoliduar si strukturë dhe është në një fazë delikate që të kapërcejë problemet e fillimit dhe të japë produktin e nevojshëm. Situata është që të gjithë janë tepër intensivë dhe aktivë në ushtrimin e detyrës. Kemi shumë hetime të rëndësishme në vijim për pastrimin e parave, korrupsionin dhe tani është momenti të ecim përpara. Niveli që kemi arritur në bashkëpunim është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Kemi 20 skuadra të përbashkëta hetimore që kryejnë hetime me vendet e BE-së”, tha Kraja.

Kreu i SPAK u angazhua se institucioni që ai drejton do të hetojë në mënyrë objektive të gjitha rastet që dhe do të japë rezultate.

“Dua t’i garantoj drejtuesit e projektit që do të jenë bashkëpunues në arritjen e objektivave që ka projekti. Do të jemi partnerë seriozë dhe kemi nevojë të na ndihmoni. Do të kemi më shumë rezultate”, deklaroi Kraja. /Telegrafi/