Site icon Telegrafi

Kreu i inteligjencës ukrainase thotë se Koreja e Veriut është kërcënimi më i madh i Kievit nga të gjithë aleatët rusë

Shefi i inteligjencës ushtarake ukrainase ka thënë të shtunën se rritja e prodhimit të bombave nga Rusia si dhe dërgesat e municioneve artilerie nga Koreja e Veriut, paraqesin probleme të mëdha për forcat ukrainase në fushëbetejë.

Kyrylo Budanov, theksoi se ndihma ushtarake e Koresë së Veriut për Rusinë paraqet shqetësimin më të madh në krahasim me mbështetjen e ofruar nga aleatët e tjerë të Moskës, transmeton Telegrafi.

“Ata furnizojnë sasi të mëdha municionesh artilerie, gjë që është kritike për Rusinë”, tha ai, duke treguar për rritjen e armiqësive në fushëbetejë pas dërgesave të tilla.

Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara, mes vendeve të tjera dhe analistëve të pavarur, thonë se udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, po ndihmon Rusinë në luftën kundër Ukrainës duke furnizuar me raketa dhe municion në këmbim të ndihmës ekonomike dhe të tjera ushtarake nga Moska.

Rritja e Rusisë në prodhimin e bombave paraqiti gjithashtu një “problem të madh për vijën e parë”, tha Budanov në konferencën e Strategjisë Evropiane të Jaltës të organizuar nga Fondacioni Victor Pinchuk në Kiev. /Telegrafi/

 

Exit mobile version