Telegrafi

Kreu i Hamasit arrin në Kajro, negociata intensive janë duke u zhvilluar

Kreu i Hamasit, Ismail Haniyeh, ka arritur sot në Kajro, njoftoi organizata islamike palestineze dhe një burim i informuar konfirmoi për Reuters, se negociatat intensive për shkëmbimin e pengjeve për të burgosurit palestinezë janë duke u zhvilluar midis Izraelit dhe Hamasit me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit.

Sipas një raporti mediatik, Izraeli ka ofruar një armëpushim në Gaza për të paktën një javë si pjesë e negociatave për lirimin e pengjeve shtesë nga enklava, shkruan dpa.

Haniyeh, e cili jeton në Katar, mbërriti “në kryeqytetin egjiptian për bisedime me zyrtarët egjiptianë rreth zhvillimit të agresionit sionist në Rripin e Gazës dhe shumë çështje të tjera”, thuhet në njoftimin për shtyp të cituar nga agjencia AFP.

Si Hamasi ashtu edhe Izraeli kanë dhënë sinjale të shumta për mundësinë e arritjes së kësaj qetësie në luftimet në Gaza. Dje, presidenti izraelit Isaac Herzog, la të kuptohet për mundësinë e një pauze të re humanitare në Gaza për të lehtësuar lirimin e mëtejshëm të pengjeve, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Izraeli i dërgon ofertë Hamasit: Një javë armëpushim për lirimin e 40 pengjeve

“Izraeli është gati për një pauzë të re humanitare dhe ndihmë humanitare shtesë për të lehtësuar lirimin e pengjeve”, u tha ai diplomatëve, sipas zëdhënësit.

Axios raportoi dje, duke cituar dy zyrtarë izraelitë dhe një “burim të ditur”, se Izraeli pret që Hamasi të lirojë më shumë se tridhjetë pengje në këmbim.

Propozimi i Izraelit për të paktën një armëpushim njëjavor në këmbim të lirimit të rreth 40 pengjeve u ndërmjetësua nga Katari, shkruan Axios.

Gratë e mbetura, burrat mbi 60 vjeç dhe pengjet e tjera që janë ende në Gaza dhe janë të sëmurë ose të plagosur rëndë dhe kanë nevojë për kujdes urgjent mjekësor, do të lirohen.

Ky është propozimi i parë nga Tel Aviv që nga skadimi i marrëveshjes njëjavore të armëpushimit muajin e kaluar, raportoi Axios. Gjatë atij armëpushimi, 105 pengje u liruan dhe Izraeli në këmbim liroi 240 palestinezë nga burgjet. /Telegrafi/