Krerët e shtetit në 25-vjetorin e kalimit të Nënë Terezës saj në amshim dhe 6-vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku, kanë vizituar motrat e Nënës Terezë në Pejë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se ndihma e këtyre motrave shkon edhe përtej mureve, derisa falënderoi të gjitha për punën e tyre që bëjnë vazhdimisht.
“Ndihma e tyre shkon edhe shumë përtej mureve të kësaj ndërtese, sepse vizitojnë edhe shumë familje këtu në Pejë, familje që kanë nevojë dhe këtë shërbim, këtë mision janë duke e kryer këto 30 vitet e fundit apo edhe më shumë. Motrat e Nënës Terezë vinë nga vende të ndryshme të botës… Ndihemi krenare me shembullin që la pas Shën Tereza e cila doli nga populli shqiptar por u bë nëna e të gjithëve me ndihmën që dha”, tha ajo.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti është shprehur krenar me punën e Nënës Terezë, derisa tha se ajo është ideal që duhet ndjekur secili.
“Me rastin e gjashtë vjetorit të shenjtërimit të Nënës Terezë, e cila me punën e saj të pamatshme, me sakrificën e saj të jashtëzakonshme, me dashurinë e saj të pa krahasueshme, duke mos kërkuar as shpagim e as shpërblim, u bë nëna e gjithë botës dhe na shtoi krenarinë neve si popull, si komb prej gjirit të së cilës doli ajo. Sot e përkujtojmë Nënën Terezë, jo vetëm për angazhimin sakrifikues të saj, por edhe si ideal që duhet të ndjekim secili prej nesh, kur duam t’i shërbejmë popullit dhe qytetarëve”, tha Kurti.
Impeshkivi, Imzot Dodë Gjergji, po ashtu uroi të gjithë për këtë festë. Derisa uroi te gjithë që të bëhen pak Nënë Terezë.
“Unë e falënderoj Zotin që ia kemi dhënë një vajzë dhe na ka kthyer një nënë e ajo na ka dhënë katër motra për ta zëvëndësuar vetveten këtu që punojnë në mesin tonë”, tha ai.
Festa e Shën Nënë Terezës do të kremtohet nesër me disa aktivitete. /KP/