Site icon Telegrafi

Krerët e shtetit urojnë besimtarët myslimanë për fillimin e Ramazanit

Miliona myslimanë në mbarë botën po bëhen gati për të nisur agjërimin në Muajin e Ramazanit që nis më 11 mars.

Krerët e institucioneve të Kosovës kanë uruar besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të këtij muaji që shënon fillimin e agjërimit.

Presidentja Vjosa Osmani ka uruar qytetarët duke i lutur të shpërfaqin solidaritetin nder-njerëzor që e karakterizon popullin tone.

“Pas mesnate, me syfyrin e parë, fillon muaji i shenjtë i Ramazanit. I uroj të gjithë qytetarëve tanë të besimit islam agjërim të lehtë e të shëndetshëm, mbarësi dhe begati në familje. Forca e njeriut qëndron në durimin, veprat humane dhe respektin e ndërsjellë. Ndaj në këtë muaj e çdo ditë tjetër, të shpërfaqim solidaritetin ndërnjerëzor që e karakterizon popullin tonë. Urime muaji i bekuar i Ramazanit!”, ka uruar Osmani.

E në prag të fillimit të muajit Ramazan, kryeministri Albin Kurti vizitoi xhaminë Pirinaz dhe xhaminë Alaudin.

Ai u dëshiroi agjërim të lehtë besimtarëve.

“Në këtë Natë të Madhe, kur të gjithë përgatiten për agjërimin, i cili na bënë t’i përkushtohemi anës shpirtërore dhe na fisnikëron, të kemi mundësinë që të vijmë për një vizitë të këtillë shumë dashamirës dhe domethënëse. Andaj, Zoti ua bëftë kabull dhe ju dëshiroj agjërim të lehtë të gjithë besimtarëve në këtë muaj të shenjtë, i cili fillon me ditën e nesërme”, tha kryeministri Kurti.

Derisa i pari i Kuvendit ka thënë se muaji i Ramazanit sjell spovën përballë së cilës disiplina dhe virtyti çojnë drejt realizimit shpirtëror.

“Duke bartur frymën e sakrificës dhe solidaritetit ndaj tjetrit në nevojë, muaji i Ramazanit sjell spovën përballë së cilës disiplina dhe virtyti çojnë drejt realizimit shpirtëror.

Si muaj i sakrificës dhe përkushtimit, ai sjell mesazhin për atë që është më e lartë se ne, dhe se përlartësimi vjen nga një përulësi e thellë e shpirtit ndaj Zotit që tejkalon shtrëngesat e rrethanës.

Agjërim të lehtë për të gjithë besimtarët!”, ka shkruar Konjufca./Telegrafi/

Exit mobile version