Site icon Telegrafi

Krasniqi, Vetëvendosjes: Mos shitni moral sepse asnjë pikë s’e keni

Deputeti i Partisë Socialdemokrate (PSD), Frashër Krasniqi ka thënë se protesta e Lëvizjes Vetëvendosje është organizuar për afirmim të LVV-së dhe kundër PSD-së.

Krasniqi në një postim në rrjetin social Facebook ka thënë se një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vetë deputeti i VV-së, Liburn Aliu.

Lexo po ashtu Aliu, PSD-së: Po shikoni se kujt do t'i shiteni për koalicion parazgjedhor

Sipas tij, LVV i mashtruan qytetarët me protestën pasi nuk e kanë organizuar për ta sulmuar presidentin e vendit, Hashim Thaçin.

“Liburn Aliu e konfirmoi vetë, pa ia kërkuar askush që protesta e VV qenka organizuar për afirmim të VV dhe kundër PSD-së. Shiheni se si sa herë që po flasin për protestën, këtë e bëjnë në kontekst të sulmit ndaj PSD-së dhe afirmimit të VV-së, dhe jo për ta sulmuar Thaçin kundër të cilit mashtruan se po e thërrasin protestën. Unë nuk e di për cilën mbështetje po flet Liburni, por është mirë t’i presim zgjedhjet. Mbase ju kemi sjellë bereqet, por sondazhet po flasin që VV nga partia e parë ka dal në partinë e tretë. Nga 32 deputetë, ka mbetur me 19. E për votat e PSD, prapë le t’i presim zgjedhjet. Do të zhgënjeheni edhe në këtë rast. PSD do të ketë deputetë më shumë se që ka aktualisht. Kur Liburni thotë se largimi ynë paska qenë bereqet për VV, kjo tregon atë që e thonim ne para vendimit që të largohemi: VV nuk na deshi neve aty. Sepse Albin Kurti nuk deshi mendim kritik”, ka thënë Krasniqi.

Ai po ashtu shtoi se LVV është duke menaxhuar me 1.2 milion euro buxhet (vetëm nga buxheti i shtetit), duke thënë se është parti e pasur.

Krasniqi u bëri thirrje anëtarëve të LVV-së që mos të shesin moral.

“Dhe krejt në fund, për hipokrizinë e pagave: Liburn Aliu, mos harro që VV sot menaxhon me 1.2 milion euro buxhet (vetëm nga buxheti i shtetit). Pra është parti e pasur. Dhe po, një pjesë e aktivistëve që kemi dalur, kemi marrë paga nga VV, por sot ju, si hipokritë që jeni, le që nuk i keni ulur pagat por keni punësuar njerëz me paga saktësisht të njëjta. Sot, disa prej jush, e në veçanti kryetari, endeni me mercedesa dhe keni nga 3 truproja. Mos shitni moral sepse asnjë pikë s’e keni”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi. /Telegrafi/

Foto: Arkiv

Exit mobile version