Site icon Telegrafi

Krasniqi: Ushtria nuk i lanë gjynahet e Thaçit dhe Mustafës (Video)

Jakup Krasniqi nga Nisma për Kosovën, ka thënë se sa i përket Ushtrisë shteti është vonuar, duke kritikuar mos koordinimin e liderëve institucional për këtë çështje.

“Ligji për FSK-në po shihet se nuk është i koordinuar jo vetëm me klasën politike në vend, por edhe me partnerët ndërkombëtar, siç është NATO e Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se këtë ligj është dashur ta përgatis qeveria e presidenti i cili më shumë ka rol unifikues është dashur të gjejë mbështetje ndërkombëtare.

Krasniqi ka thënë se jemi në një situatë të keqe ku fatkeqësisht temat jetësore pa na bëhen tema politike.

Ai ka thënë se këto probleme kanë mundur të zgjidhen siç është rasti i Demarkacionit, por siç duket këto probleme i kanë shkuar për shtati dikujt dhe se janë zhagitur mjaftë shumë.

Sipas Krasniqit, nismat e Presidentit Thaçi më shumë po shihen si pjesë të fushatave zgjedhore se sa për interesa të tjera shtetërore.

Krasniqi, ka thënë se po të shikohej interesi i Kosovës, kjo çështje do të ishte zgjidhur shpejt, por kjo më shumë është një përgatitje për fushatë politike dhe se presidenti Thaçi sikur e dinë krejt, është më shumë një president i një partie politike se sa që e unifikon popullin.

Edhe Lista Serbe dhe ndikimi i saj i madh prej Beogradit është rezultat i bisedimeve në Bruksel, ka shtuar Krasniqi.

“Jam i bindur se me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, kishin me u rrit edhe kapacitet operacionale të Ushtrisë”, ka thënë Krasniqi në Rrokum Roll, duke shtuar se vendimi për Ushtrinë ka qenë i padrejtë dhe i pakoordinuar si me klasën politike ashtu edhe me faktorin ndërkombëtar.

Ai ka thënë se për Ushtrinë sikur që është fajtore PDK-ja, aq faj ka edhe LDK-ja, duke shtuar se kanë qenë dy subjektet më të mëdha politike.

Ai përveç tjerash ka folur edhe për shumë tema të tjera të rëndësishme prej aktualitetit politik./Telegrafi/

https://www.youtube.com/watch?v=u7wABkEc37k

Exit mobile version