Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dje ka marrë vendim për shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka.
E ky vendim i Osmanit po konsiderohet shkelje e Kushtetutës. Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus” ka thënë se kompetencat e Presidentit të Kosovës janë të shumta, por jo aq sa po mendon presidentja Osmani.
Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se Osmani në vedimin për shkarkimin e Kryesueses së KQZ-së, ka marrë rolin e katër institucioneve tjera: Gjykatës Kushtetuese, Kuvendit, PZAP-së dhe Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
“Avokati i Popullit ose 30 deputetë, duhet patjetër të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Presidentes për shkarkimin e Kryesueses së KQZ-së”, ka shkruar Krasniqi.
Postimi plotë:
Kompetencat e Presidentit të Kosovës janë të shumta, por jo aq sa po mendon Presidentja Osmani-Sadriu. Në vendimin për shkarkimin e Kryesueses së KQZ-së, ajo ka marrë rolin e katër institucioneve të tjera:
- Gjykatës Kushtetuese, duke i interpretuar vet kriteret për certifikim të kandidatëve për deputetë;
- Kuvendit, duke vlerësuar punën e KQZ-së;
- Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke konstatuar shkelje në verifikimin e votuesve jashtë vendit;
- Agjencisë për Informim dhe Privatësi, duke konstatuar shkeljen e të dhënave personale.
Kjo ndërhyrje e pashembullt nuk duhet të lejohet. Përndryshe është fitore për lajmet e rrejshme të shpërndara gjatë zgjedhjeve për KQZ-në, për bullizmin politik të Sami Kurteshit e për ndërhyrjet arbitrare të Presidentes në punën e institucioneve të pavarura.
Avokati i Popullit ose 30 deputetë, duhet patjetër të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Presidentes për shkarkimin e Kryesueses së KQZ-së. /Telegrafi/