Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka vizituar sot komunën e Leposaviqit për të parë nga afër procesin e votimit për shkarkimin e kryetarëve.
Para mediave Krasniqi ka thënë se Lista Serbe, e cila ka bërë thirrje për bojkotim të procesit zgjedhor të së dielës për shkarkimin ose jo të kryetarëve të komunave veriore, i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët.
“Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë. Ata i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Ata vazhdojnë t’i kenë ulëse të rezervuara për komunitetin serb në Kuvend dhe mos t’i përfaqësojnë interes të qytetarëve, mirëpo t’i marrin pagat e Kuvendit”, ka thënë ai.
Krasniqi ka shtuar se qytetarët me votim deklarohen se a janë pro largimit të kryetarëve ose jo.
“Ju bëj thirrje qytetarëve që t’i përgjigjen kësaj mundësie të votojnë dhe vullneti i tyre të shkojë deri në fund”, u shpreh ministri.
Ndërkaq në një postim në Facebook, Krasniqi u shpreh se është evidente që Lista Serbe dhe Beogradi kanë dhënë urdhër për bojkotim, dhe jo sepse ata nuk duan zgjedhje, por se nuk duan të përballen me dështimin eventual të tyre. /Telegrafi/